Filloi zbatimi i projektit ‘Edukimi Mediatik–Ekspertiza Nordike në Kosovë’
BKT
Kosovë

Filloi zbatimi i projektit ‘Edukimi Mediatik–Ekspertiza Nordike në Kosovë’

Valbona Thaçi / RTKLive

Në Shkollën “Shaban Shala” në Podujevë ka filluar zbatimi i projektit “Edukimi Mediatik – Ekspertiza Nordike në Kosovë” që buron nga një memorandum bashkëpunimi i nënshkruar në nëntor ndërmjet Komunës dhe Iniciativës EEI (Education Empowerment Initiative).

Komuna e Podujevës njofton se në këtë ceremoni që është mbajtur në ambientet e kësaj Shkolle (si përfituese e këtij projekti) ku mori pjesë Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, Konsulli i Norvegjisë në Kosovë, Taulant Hodaj, përfaqësuese të Iniciativës EEI, Drejtori i DKA-së, Avni Fetahu, Drejtori i shkollës, Nystret Ismajli, mësimdhënës dhe nxënës.

Me këtë rast, Kryetari Bulliqi ka theksuar se edukimi medial është domosdoshmëri në kohën e sotme dhe një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e fëmijëve, duke i pajisur ata me njohuri për të kuptuar dhe vlerësuar drejt informacionin.

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, falënderoi Komunën e Podujevës për bashkëpunimin, duke theksuar rëndësinë e barazisë në arsim, mendimit kritik dhe përgatitjes së nxënësve për të qenë qytetarë aktivë në demokraci, si dhe ndarjen e përvojës finlandeze në edukimin medial.

Gjatë kësaj ceremonie u zhvillua një bashkëbisedim me nxënësit rreth mënyrës se si ata i përdorin mediat dhe informacionet digjitale, me theks të veçantë në verifikimin e burimeve dhe përdorimin e përgjegjshëm të tyre.

Projekti ka për synim forcimin e edukimit medial, mendimit kritik dhe përdorimit të sigurt të mediave digjitale në shkolla, përmes përvojës dhe praktikave nordike.

Mund të jetë një imazh i duke studiuar dhe tabelë


MË SHUME NGA Kosovë