Policia e Kosovës nderon Shoqatën për Kërkim dhe Shpëtim
G.Kelmendi/RTKlive
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka njoftuar se është vlerësuar nga Policia e Kosovës me mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e saj në fushën e kërkimit dhe shpëtimit.
"Me respekt dhe mirënjohje të veçantë ndaj Drejtorit Rajonal të Policisë, DRP-Ferizaj, Nënkolonel Faton Pllana, për ndarjen e mirënjohjes / letrës së falënderimit për Shoqatën e Kosovës për Kërkim Shpëtim", thuhet në njoftim.
Sipas Shoqatës, kjo mirënjohje përfaqëson një vlerësim për punën e palodhur, përkushtimin dhe sakrificën e anëtarëve të saj, të cilët, pa orar dhe pa kushte, janë gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë në situata kur dikush ka më së shumti nevojë.
“Ky vlerësim është një dëshmi e përkushtimit dhe përgjegjësisë me të cilën anëtarët tanë e ushtrojnë misionin e tyre humanitar”, theksohet në njoftim.
Shoqata ka shprehur gjithashtu mirënjohje për Policinë e Kosovës, duke theksuar ndihmën, bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme në realizimin e misionit humanitar.























