Kryeprokurori i Prizrenit priti në takim përfaqësues të KFOR-it zviceran
BKT
Kosovë

Kryeprokurori i Prizrenit priti në takim përfaqësues të KFOR-it zviceran

Emine Hoti/RTKlive

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur sot në takim përfaqësues të KFOR-it zviceran (LMT).

Sipas njoftimit të lëshuar nga Sistemi Prokurorial, me këtë rast, kryeprokurori Kryeziu i falënderoi përfaqësuesit e KFOR-it për angazhimin dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit në rajon, duke vlerësuar rolin e tyre të rëndësishëm në përmbushjen e misionit të tyre.

Gjatë takimit, Kryeziu i njoftoi përfaqësuesit e KFOR-it lidhur me sfidat dhe prioritetet e Prokurorisë Themelore në Prizren, si dhe me objektivat e ardhshme në përmbushjen e detyrave ligjore dhe kushtetuese.Po ashtu, palët diskutuan për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në rajonin e Prizrenit, përfshirë zhvillimet e fundit që ndikojnë në rendin dhe sigurinë publike.

Në këtë kontekst, u trajtuan edhe rastet e fundit që lidhen me manipulimin e rezultateve zgjedhore, sfidat që këto raste paraqesin për institucionet e drejtësisë, si dhe rëndësia e hetimit dhe trajtimit të tyre në përputhje me ligjin, me qëllim të ruajtjes së integritetit të proceseve demokratike.

“Gjatë takimit, po ashtu u diskutua për çështje të përgjithshme që lidhen me funksionimin e institucioneve të drejtësisë, si dhe për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe kapaciteteve institucionale në funksion të sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Në përmbyllje të takimit, përfaqësuesit e KFOR-it zviceran shprehën gatishmërinë për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me Prokurorinë Themelore në Prizren, me synim rritjen e mëtejshme të stabilitetit, ruajtjen e paqes dhe forcimin e sundimit të ligjit në rajon.


MË SHUME NGA Kosovë