Fetoshi: Kërkesa për 180 vjet burgim, kulmi i politizimit të drejtësisë
Naser Mekolli /RTKlive
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar, përmes një postimi në Facebook, ndaj kërkesës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë për 180 vjet burgim ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fetoshi, në një postim në Facebook, e cilësoi këtë kërkesë si kulm të, siç tha ai, “drejtësisë së politizuar” dhe një padrejtësi brutale ndaj luftës çlirimtare. Ai rikujtoi se nga pretendimet për trafikim organesh në vitin 2011, deri te aktakuza për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” në vitin 2020, procesi ka kaluar nëpër disa faza dhe ndryshime prokurorësh, ndërkohë që të akuzuarit kanë kaluar tashmë gjashtë vjet në paraburgim.
Sipas Fetoshit, kërkesa për dënime të njëjta për të katër të akuzuarit, ndonëse aktakuza nuk i ngarkon njësoj, dëshmon se procesi synon kriminalizimin e UÇK-së dhe relativizimin e krimeve të Serbisë.
Ai theksoi se historia nuk mund të rishkruhet në sallat e Hagës dhe u bëri thirrje qytetarëve, institucioneve dhe aktorëve shoqërorë që të bashkohen nën sloganin “Drejtësi, jo politikë”, për një mesazh të qetë dhe dinjitoz.























