Paneuropa Kosova në Konferencë Ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut
BKT
Kosovë

Paneuropa Kosova në Konferencë Ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut

Kimete Kasumi/ RTKlive

Paneuropa Kosova, e përfaqësuar nga kryetari Arbër Prenaj mori pjesë në konferencën ndërkombëtare dyditore të organizuar nga Pan Europa Union e Maqedonisë, me temën “E ardhmja Evropiane e Ballkanit Perëndimor: Integrimi Politik, Bashkëpunimi Rajonal dhe Qëndrueshmëria Ekonomike në Kohë të Sfidave Globale”.

Me këtë rast, në margjina të kësaj konference, kryetari Prenaj u takua me kryetaren e Republikës së Maqedonisë së Veriut Gordana Soljanovska Davkova dhe me kryeministrin Kristijan Mickoski ku mes tjerash i falënderoj për marrëdhëniet e mira fqinjësore si dhe ofrimin e mundësive për bashkëpunim në interes të përbashkët në funksion të paqes, zhvillimit ekonomik dhe sigurisë.

“Konferenca mblodhi më shumë se 100 pjesëmarrës përfaqësues politik, akademik dhe ekspert nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nga BE-ja, përfshin gjithashtu përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve dhe organizatave evropiane, si dhe organizatave panevropiane nga Shqipëria, Austria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Mali i Zi, Franca, Kroacia, Kosova, Gjermania, Serbia dhe Spanja, me qëllim diskutimin e perspektivës evropiane të rajonit në një kontekst të shënuar nga pasiguri gjeopolitike, kriza energjetike dhe sfida ekonomike globale. Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Pan European Union of Austria, Fondacionin Otto von Habsburg dhe Institutin e Rajoneve të Evropës”, thuhet në njoftim.

Gjatë tre paneleve tematike, pjesëmarrësit theksuan se e ardhmja strategjike e Ballkanit Perëndimor mbetet e pandashme nga Bashkimi Evropian. U vlerësua se integrimi evropian nuk është vetëm një proces teknik, por një projekt politik dhe shoqëror që kërkon përkushtim të vazhdueshëm ndaj sundimit të ligjit, demokracisë funksionale dhe reformave institucionale.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit rajonal, si parakusht për stabilitet afatgjatë. U theksua se sfidat e përbashkëta nga mosmarrëveshjet bilaterale te emigrimi dhe rënia demografike – nuk mund të adresohen në mënyrë të izoluar, por përmes qasjeve të koordinuara rajonale.

Në planin ekonomik, diskutimet u përqendruan në nevojën për rritjen e qëndrueshmërisë përballë krizave globale. Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e investimeve, integrimit energjetik, ndërlidhjes infrastrukturore dhe harmonizimit me politikat e gjelbra dhe digjitale të BE-së.

Në fjalimet e tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kristijan Mickoski, theksoi se progresi drejt BE-së nuk duhet të varet vetëm nga faktorët e jashtëm, por mbi të gjitha nga lidershipi i brendshëm, uniteti politik dhe zbatimi konsekuent i reformave. Ai paralajmëroi se vonesat dhe mungesa e meritokracisë në procesin e zgjerimit rrezikojnë të dëmtojnë besueshmërinë e vetë Bashkimit Evropian.

Ndërsa Pavo Barishiq, Kryetar i Paneuropës Ndërkombëtare theksoj se "Maqedonia e Veriut është një provë për besueshmërinë e politikës evropiane".

 


MË SHUME NGA Kosovë