Mësimi dual forcon aftësitë profesionale në “7 Shtatori”
BKT
Kosovë

Mësimi dual forcon aftësitë profesionale në “7 Shtatori”

RTK

Shkolla Profesionale “7 Shtatori” në Prishtinë po përdor mësimin dual për të përgatitur nxënësit me përvojë praktike dhe aftësi profesionale që nga vetë shkollimi, duke u hapur rrugë karrierës në sektorët e hotelerisë, tregtisë dhe turizmit.

Me zgjerimin e profileve profesionale dhe përfshirjen e mësimit dual, Shkolla Profesionale “7 Shtatori” po shndërrohet në një qendër të rëndësishme për përgatitjen e kuadrove të reja në sektorin e hotelerisë, tregtisë dhe turizmit në Kosovë.

Drejtoresha Hatixhe Ratkoceri thekson se ky model u mundëson nxënësve të fitojnë shkathtësi konkrete profesionale dhe punësim gjatë shkollimit, por edhe pas përfundimit të tij.

“I kemi tre profile në sistemin dual, e kjo nënkupton se 53% e mësimit në shkollë është praktikë profesionale, e cila lidhet drejtpërdrejt me vendin e punës, dhe 47% me pjesën teorike”, tha Hatixhe Ratkoceri, drejtoreshë e shkollës SHMLP “7 Shtatori”.

Ekspertja e kurikulave të mësimit dual, Shemsije Ibrahimi, thotë se hartimi i këtyre kurikulave është bërë në bashkëpunim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Kemi qenë një grup ekspertësh për hartimin e këtyre kurikulave, ku jemi munduar t’i hartojmë sipas standardeve të vendeve gjermanofolëse”, tha Shemsije Ibrahimi, eksperte e kurikulave.

Ndërkaq, nxënësit shprehen se përvoja praktike në biznese po i ndihmon të kuptojnë më mirë profesionin dhe t’i afrohen më shumë tregut të punës.

“Përvoja në punë ka qenë krejt ndryshe nga ajo çfarë e kam menduar. Nga shkolla kam fituar edhe bursë dhe kam punuar edhe jashtë vendit”, tha Gjergj Kastrioti, nxënës.

“Jam e kënaqur që në drejtimin ku jam, turizëm, bëjmë edhe praktikën profesionale në agjenci të ndryshme”.

Modeli dual i Shkollës Profesionale “7 Shtatori” po funksionon si një shembull për forcimin dhe përgatitjen e kuadrove të reja për sektorët kyç të ekonomisë në vend.


MË SHUME NGA Kosovë