Përkujtohen civilët e vrarë nga forcat serbe, 28 vjet më parë| VIDEO
Elmina Abdyli / RTK
Në Qirez dhe Likoshan, 28 vite më parë u derdh gjaku i civilëve shqiptarë, duke e shndërruar këtë vend në një pikë kthese të historisë së luftës në Kosovë. Familjarë, bashkëfshatarë dhe mërgimtarë rikthehen çdo vit për të nderuar kujtimin e të rënëve.
Rasim Jetullahi nga Vërnica, i ardhur nga Gjermania pas shumë vitesh, thotë se kjo ditë ka domethënie të veçantë për të. Ai kujton me dhimbje se askush nuk e kishte menduar përmasën e e masakrës që do të ndodhte.
“Kam ardhur vetëm për këtë ditë, për këta dëshmorë që e flijuan jetën për Kosovën. Ishim më 27 në Baks, ndërsa më 28 filloi lufta këtu në Qirez e Likoshan. Kemi familjarë, miq e nipa, prandaj erdha t’i vizitoj edhe nga Gjermania. U mërzita shumë për këtë vend, nuk e mendova që do të bëhej gjithë kjo luftë dhe masakër këtu. Për mua ka qenë shumë mërzi”, deklaroi Jetullahi.
Dhimbjen më të madhe e bartin familjarët e viktimave. Merita Miftari nga Likoshani rrëfen momentin kur mori lajmin për vrasjen e babait të saj.
“Lajmin e kam marrë shumë të hidhur. Babai ka qenë në shtëpi me nënën që ishte e palëvizshme. Paramiltarët e kanë kapur në shtëpi, e kanë nxjerrë jashtë dhe e kanë vrarë në ledinë”, tha Miftari.
Bashkëfshatarët thonë se ky vend është themeli i rezistencës në Drenicë dhe simbol i qëndresës së
“Ky kompleks është i shenjtë dhe nismëtar i luftës në pjesën e Drenicës. Këtu janë flijuar shumë njerëz të pafajshëm, ka pasur edhe fëmijë e gra shtatzëna. Nga këtu ka marrë hov rezistenca e popullatës”, deklaroi Geci.
Masakra e Qirezit dhe Likoshanit konsiderohet si një nga aktet e para të dhunës masive që mobilizoi popullatën dhe i dha hov rezistencës së armatosur. Sot, ky kompleks memorial mbetet vend kujtese dhe reflektimi për sakrificën e civilëve dhe rrugën drejt lirisë së Kosovës.























