Dy qytetarë dorëzojnë në Polici kuleta të gjetura me para në Junik e Shtime
BKT
Kosovë

Dy qytetarë dorëzojnë në Polici kuleta të gjetura me para në Junik e Shtime

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Dy qytetarë në Kosovë kanë dorëzuar në Polici kuleta të gjetura me para dhe dokumente, në dy raste të ndara në Junik dhe në Shtime. Ato më pas u janë kthyer pronarëve.

Në rastin e parë, Policia e Kosovës njoftoi se më 5 mars 2026 në Stacionin Policor në Junik është paraqitur qytetari Shpëtim Kabashi nga Istogu, i cili kishte gjetur një kuletë në qytetin e Junikut. Në kuletë ndodheshin 445 funta angleze, 50 franga zvicerane, 10 euro, 42 mijë e 600 lekë shqiptare dhe pesë kartela bankare. Më 6 mars 2026, Policia ka identifikuar personin të cilit i kishte humbur kuleta, i cili është ftuar në stacionin policor dhe kuleta me të gjitha të hollat i është kthyer nga zyrtarët policorë.

Ndërkohë, në një rast tjetër të ndarë, më 6 mars 2026 rreth orës 11:30 në stacionin policor në Shtime është paraqitur qytetarja Xh. Rexhaj (28 vjeçe), e cila ka dorëzuar një portofol që e kishte gjetur në rrugën “Ibrahim Rugova” në fshatin Davidovc të Shtimes. Pas verifikimit të dokumenteve është konstatuar se pronar i portofolit është N.I. nga komuna e Vitisë. Në portofol, përveç dokumenteve identifikuese, ndodheshin edhe para në vlerë totale prej 329.55 euro.

Policia ka arritur ta kontaktojë pronarin, i cili është paraqitur në stacion policor dhe e ka tërhequr portofolin me të gjitha dokumentet dhe paratë.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për veprimet dhe përgjegjësinë e treguar qytetare. 


MË SHUME NGA Kosovë