22:30 / 08.03.2026
Moti për javën e ardhshme, kryesisht i mirë dhe me intervale me diell
Naser Mekolli /RTKlive
Java e ardhshme në vendin tonë parashihet të karakterizohet me mot kryesisht të mirë, me intervale të gjata me diell dhe riga të pakta shiu, kryesisht të hënën dhe të premten.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale pritet të lëvizin nga -1°C deri në 3°C, ndërsa maksimalet e ditës nga 13°C deri në 17°C.
Gjatë javës do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe jugperëndimi.
Për të hënën, moti parashihet të jetë i vranët me intervale me diell. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga të dobëta shiu.
Temperaturat minimale do të sillen nga 0°C deri në 2°C, ndërsa maksimalet nga 13°C deri në 15°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1–5 m/s.























