Bjeshkët e Nemuna në mbrojtje të rreptë, deri më tani 6083 ndërtime ilegale
Islam Haxhiu / RTK
Vendimi i Ministrisë së Mjedisit për ndalimin e të gjitha llojeve të aktiviteteve ndërtimore pa leje në Parqet Kombëtare nuk është mirëpritur nga zyrtarët e komunës së Deçanit, të cilët mbesin të shqetësuar se kjo mund t’i penalizojë në shumë punime të pushtetit lokal.
“Kishte qenë më e ditë se cilat përparësi dhe mangësi krijohen me marrjen e një vendimi të tillë, me pas një zhvillim të harmonizuar në atë zonë dhe jo me u marrë një vendim i tillë strikt, sepse në këto vende ka edhe punë komunale: jemi duke ndërtuar rrugë, ujësjellëse, kanalizime, jemi duke ndërtuar qendra të grumbullimit të produkteve të këtyre bjeshkëve, kemi tendenca të zhvillimit ekonomik për ndërtimin e resurseve dimërore që kanë të bëjnë me skitarinë”, ka thënë Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit.
Ndryshe nga Deçani, zyrtarët e komunës së Junikut, duke vënë në pah se degradimet në Parkun e Bjeshkëve të Nemuna kanë ndodhur ndër vite, vendimin e ministrisë e shohin me efekt të dyanshëm.
Mirëpo, në anën tjetër, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile thonë se në Bjeshkët e Nemuna ndër vite ka ndodhur degradimi i natyrës në përmasa shumë të mëdha. Sipas tyre, ky vendim vështirë që do të jetë i zbatueshëm për arsye se në masë të madhe është në dëm të banorëve lokalë.
“Është e vërtetë se Bjeshkët e Nemuna janë duke u shkatërruar nga ndërtimet e egra, qoftë në Pejë, Deçan, Istog apo kudo tjetër. Një vendim i cili nuk është në pajtueshmëri bile me mbi 50 % të qytetarëve nuk do të mund të zbatohet ose do të ketë telashe vazhdimisht, sidomos me banorët vendas. Edhe pse po themi se ka ndërtime pa leje, por më mirë është që të krijohet bazë ligjore dhe të merret në kontroll ndërtimi”, tha Adem Lushaj.
Mungesa e kornizës së qartë ligjore, mungesa e kontrollit efektiv dhe koordinimit institucional, ka lejuar prerje ilegale, uzurpime dhe dëmtime në zonat e mbrojtura. Të dhënat e raportit të fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit kanë evidentuar mbi 6 mijë ndërtime ilegale në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Vendimi i Ministrisë së Mjedisit për mbrojtjen e Parqeve Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri”, ngërthen në vete ndalimin e çdo ndërtimi pa leje, si dhe ndalimin e qarkullimit dhe hyrjes së mjeteve transportuese që bartin çdo lloj materiali ndërtimor, mjeteve të rënda të punës dhe makinerive për ndërtim, pa autorizim të dikasterit përkatës.
Në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, bazuar në ligjin për mbrojtjen e parkut nacional, në zonën e tretë ndërtimi privat lejohet vetëm nëse pronari i posedon 10 arë tokë.























