Hapësirë e re për zhvillimin e fëmijëve me nevoja të veçanta|Video
BKT
Kosovë

Hapësirë e re për zhvillimin e fëmijëve me nevoja të veçanta|Video

Zenel Hajrizi|RTK

Përfshirja e plotë në procesin arsimor fillor është një parim që obligon institucionet arsimore që fëmijët me nevoja të veçanta të jenë pjesë e pandashme e procesit mësimor dhe jetës shkollore. Qendrat burimore konsiderohen ndër hapësirat më të përshtatshme për zhvillimin e potencialit të fëmijëve me nevoja të veçanta. Një e tillë është hapur në shkollën fillore “Mitrush Kuteli” në Prishtinë, ku 20 nxënës me nevoja të veçanta do të kenë mundësinë të jenë pjesë e mësimit gjithëpërfshirës.

Institucionet arsimore në Prishtinë thonë se po punojnë vazhdimisht për të krijuar kushte më të mira për fëmijët me nevoja të veçanta, duke ofruar mbështetje profesionale dhe hapësira të përshtatshme për zhvillimin e tyre. Për rëndësinë e përfshirjes dhe mbështetjes së kësaj kategorie flasin drejtues të arsimit dhe të shkollave.

“Ti përkrahim këta fëmijë në çfarëdo forme që është e nevojshme dhe e mundshme nga ana jonë. Në këtë rast krijojmë një hapësirë të veçantë për ta, në mënyrë që ata të mund të nxjerrin potencialin më të mirë që kanë”, tha Remzie Kosumi Rracaj, drejtoreshë e shkollës “Mitrush Kuteli” në Prishtinë.

Përfshirja dhe mbështetja e fëmijëve me nevoja të veçanta konsiderohet përgjegjësi e të gjithë shoqërisë. Për këtë arsye, institucionet arsimore synojnë të krijojnë kushte sa më të mira, si për nxënësit ashtu edhe për stafin që punon me ta.

“Kemi obligim që të plotësojmë të gjitha elementet e punës edhe për stafin që punon me këta fëmijë brenda shkollave – mësimdhënësit, asistentët dhe psikologët. Ne jemi të lumtur që si kryeqytet qëndrojmë më mirë se shumë komuna të tjera në ofrimin e kuadrove për të trajtuar nevojat e shumëllojshme të këtyre fëmijëve”, theksoi Samir Shahini, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë.

Qendrat burimore konsiderohen ndër hapësirat më të përshtatshme për zhvillimin e potencialit të fëmijëve me nevoja të veçanta. Ndërkohë, bashkëpunimi mes zyrtarëve komunalë të arsimit, drejtorive të shkollave dhe këshillave të prindërve vlerësohet shumë i rëndësishëm për risocializimin, integrimin dhe edukimin e tyre, në mënyrë që ata të jenë pjesë e barabartë e shoqërisë.


MË SHUME NGA Kosovë