SHKK zhvillon program rehabilitues, 13 të burgosur certifikohen
BKT
Kosovë

SHKK zhvillon program rehabilitues, 13 të burgosur certifikohen

Emine Hoti/RTKlive

Në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë kanë përfunduar me sukses programet rehabilituese për të burgosur “Menaxhimi i Zemërimit”, në të cilat kanë marrë pjesë 13 të burgosur. Programi është realizuar në përputhje me politikat rehabilituese, plan-programin institucional dhe standardet profesionale për trajtimin e të burgosurve.

Sipas SHKK, qëllimi i programit ka qenë zhvillimi i aftësive psikosociale të pjesëmarrësve, rritja e vetëkontrollit emocional, përmirësimi i sjelljes ndërpersonale dhe forcimi i aftësisë për marrjen e vendimeve të përgjegjshme dhe të ligjshme në situata të ndryshme jetësore.

“Programi është realizuar dhe udhëhequr nga zyrtarët socialë profesionistë: Hidajete Hyseni, Nehat Haradinaj dhe Lauretë Mlinaku, të cilët kanë kontribuar me përkushtim dhe profesionalizëm gjatë gjithë procesit të zbatimit.Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave morën pjesë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Trajtimin e të Burgosurve, Ridvan Hoti, Drejtoresha e Departamentit për të Burgosur dhe të Mitur, Trendelina Qorraj, si dhe Drejtori i Qendrës Korrektuese në Smrekonicë, Avni Miftari”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se ky aktivitet dëshmon përkushtimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës në zhvillimin e programeve rehabilituese dhe në forcimin e qasjes profesionale dhe humane ndaj trajtimit të të burgosurve, me qëllim rehabilitimin e tyre dhe rritjen e sigurisë publike.

 


MË SHUME NGA Kosovë