Tulltorja e Vjetër pret transformimin, opozita kritikon për vonesa/Video
Fatos Cërvadiku/RTK
Projekti për transformimin e Tulltores së Vjetër në Prishtinë në një qendër të artit, kulturës dhe teknologjisë ende nuk ka nisur së realizuari, edhe pse ishte prezantuar në mars të vitit 2024. Nga opozita në kryeqytet adresohen kritika për neglizhencë në zbatimin e këtij projekti, ndërsa nga Komuna e Prishtinës thuhet se punimet pritet të nisin së shpejti.
Transformimi i kësaj hapësire në një qendër kulturore dhe artistike është paralajmëruar si një nga projektet më të mëdha urbane në kryeqytet. Vetëm tenderi për hartimin e projektit ka kushtuar rreth 1.2 milion euro për Komunën e Prishtinës, duke e bërë këtë çështje temë diskutimi në opinion.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Besart Krasniqi, e ka kritikuar vonesën në realizimin e projektit, duke e cilësuar atë si neglizhencë të udhëheqjes komunale.
Ai tha se Komuna duhet të jetë më e përgjegjshme ndaj projekteve dhe premtimeve të dhëna, duke shtuar se ende nuk janë realizuar as disa projekte të mandatit të parë të kryetarit të Prishtinës.
Nga ana tjetër, zyrtarë të Komunës thonë se koncepti për transformimin e tulltores ekziston prej rreth tre vjetësh dhe se gjatë vitit të kaluar janë kryer disa punë parapërgatitore për nisjen e projektit.
Drejtori i Transformimit në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati, tha se me miratimin e buxhetit pritet që në një afat të shkurtër të nisë implementimi i punimeve dhe projekti të vazhdojë drejt përfundimit.
Sipas tij, në kuadër të projektit është planifikuar edhe përdorimi i teknologjive të reja për përpunimin e tullave.
Projekti i Tulltores synon të ndryshojë peizazhin urban të kryeqytetit duke e kthyer këtë hapësirë në një qendër multifunksionale për art, kulturë dhe inovacion.
Megjithatë, njohësit e qeverisjes lokale paralajmërojnë se vonesat në realizimin e projekteve të tilla mund të ndikojnë në humbjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve.
Sipas njohësit të qeverisjes lokale, Valmir Ilazi, projekte të kësaj natyre ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve, duke përfshirë hapësirat publike, trafikun dhe zhvillimin urban.
Vlera e përgjithshme e projektit për transformimin e Tulltores vlerësohet rreth 50 milionë euro, ndërsa është paralajmëruar se, nëse punimet zhvillohen me intensitet, projekti mund të përfundojë brenda tre vjetësh.























