Inaugurohet qendra për edukim të fëmijërisë së hershme në Mirosalë
Naser Mekolli /RTKlive
Një qendër e re për edukimin e fëmijërisë së hershme u inaugurua sot në Mirosalë, në Ferizaj, e mbështetur nga UNICEF dhe Comodita Home, në partneritet me Komunën e Ferizajt dhe implementuar nga Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim. Qendra do të ofrojë shërbime për 40 fëmijë, duke krijuar një mjedis të sigurt dhe stimulues për zhvillimin njohës, social dhe emocional.
“Edukimi në fëmijërinë e hershme është thelbësor për zhvillimin social dhe emocional të fëmijëve, si dhe për të nxënit përmes lojës që kontribuon në sukses gjatë gjithë jetës në edukim,” tha Veronika Vashchenko, shefe e UNICEF-it në Kosovë, njofton zyra për informim e kësaj organizate.
Kjo është pjesë e një iniciative më të gjerë që synon të hapë tri qendra të tilla në Ferizaj, Pejë dhe Mitrovicë gjatë vitit 2026, duke e afruar edukimin e hershëm më pranë familjeve, veçanërisht në komunitetet me qasje të kufizuar.























