Fetoshi: Strategjia e ‘viktimizimit’ serb kërcënim për paqen në Ballkan
Naser Mekolli /RTKlive
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se strategjia e “viktimizimit” e nisur nga Slobodan Milosheviq në vitin 1989 vazhdon të përbëjë rrezik për stabilitetin në Ballkan.
Sipas Fetoshit, suprimimi i autonomisë së Kosovës më 23 mars 1989 ishte pjesë e një plani të mirëorganizuar për serbizimin e vendit, i mbështetur në narrativa të fabrikuara për të justifikuar dhunën dhe spastrimin etnik të shqiptarëve.
Ai thekson se, përkundër represionit të asaj kohe, shqiptarët u përgjigjën fillimisht me rezistencë paqësore dhe më pas me luftë të armatosur përmes UÇK-së, duke çuar në ndërhyrjen e NATO në vitin 1999 dhe dështimin e projektit serb.
Fetoshi vlerëson se pas luftës, Serbia ka vazhduar me forma të tjera të agresionit, përfshirë propagandën dhe dezinformimin, duke instrumentalizuar edhe dialogun ndërkombëtar kundër Kosovës.
Në fund, ai paralajmëron se, megjithëse projekti i Slobodan Milosheviq ka dështuar, e njëjta qasje po vazhdon sot përmes politikave hibride të Aleksandar Vuçiq.























