SHKK dhe Agjencia mbështesin të burgosurit pas lirimit
Valbona Thaçi / RTKLive
Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Agjencia për Punësim të Republikës së Kosovës kanë nënshkruar një aneks-memorandum për të forcuar mbështetjen ndaj të burgosurve gjatë dhe pas lirimit.
Sot, Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, së bashku me Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Punësim, Blerim Hasani, vulosën këtë marrëveshje, e cila vjen si vazhdim i Memorandumit të Mirëkuptimit të lidhur në vitin 2010 ndërmjet dy institucioneve, njofton SHKK.
Në njoftim thuhet se aneksi synon të përfshijë drejtpërdrejt këshilltarët e punësimit në programet rehabilituese për të burgosurit, duke mundësuar mbështetje gjatë përgatitjes për lirim dhe integrimit në tregun e punës. Siç është bërë e ditur, këshilltarët nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, përmes Agjencisë për Punësim, do të ofrojnë informacion mbi mundësitë e punësimit, trajnimet profesionale dhe shërbimet që të burgosurit mund të përfitojnë pas lirimit.
Pjesëmarrësit në program do të informohen mbi vendet e lira të punës, procedurat e aplikimit dhe mbështetjen institucionale, duke lehtësuar kështu tranzicionin e tyre në shoqëri dhe duke ulur rrezikun e rikthimit në vepra penale.
Ky bashkëpunim konsolidon përpjekjet për riintegrimin social dhe ekonomik të të liruarve, duke u dhënë atyre mundësinë për një start të ri pas daljes nga burgu.























