KPK miraton komisione, transferime dhe avancime në takimin e 291-të
BKT
Kosovë

KPK miraton komisione, transferime dhe avancime në takimin e 291-të

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur sot takimin e 291-të, ku ka marrë një sërë vendimesh për komisione, transferime, avancime dhe çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në këtë mbledhje, KPK ka miratuar rendin e ditës dhe procesverbalin e takimit të 287-të, si dhe ka vendosur për përbërjen e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve. Janë konfirmuar mandatet e anëtarëve aktualë, ndërsa është emëruar një anëtar rezervë i ri.

Këshilli ka aprovuar gjithashtu plotësim-ndryshimin e vendimit për themelimin e Grupit Punues për monitorimin e zbatimit të Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit 2025–2027, duke emëruar Milot Krasniqin si kryesues të grupit.

Po ashtu, është themeluar Komisioni Mbikëqyrës për monitorimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, me kryesuese Elza Bajrami-Kastrati dhe anëtarë Shkëlzen Ibrahimi dhe Besim Kelmendi.

Këshilli ka themeluar edhe Komisionin për Kushtet e Tregut të Punës, me Prof. Ass. Dr. Dardan Vuniqi si kryesues, si dhe Visar Krasniqin dhe Arbër Zariqin si anëtarë.

KPK ka aprovuar kërkesën e Elza Bajrami-Kastratit për procedimin në Thesar të Shtetit të ndalesave në pagë për periudhën e pushimit të lehonisë nga 7 janari deri më 5 mars 2026.

Gjithashtu, janë miratuar planet e punës për vitin 2026 të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve dhe Komisionit për Çështje Normative.

Këshilli ka vendosur transferimin e përkohshëm të prokurorit Dardan Qelaj në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për një periudhë tre-mujore dhe ka avancuar prokurorin Labinot Jetishi nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda në Prizren, me efekt nga 1 prilli 2026.

Ndërkaq, KPK ka anuluar raportin e 20 janarit 2026 për avancimin e katër prokurorëve në Prokurorinë Speciale për shkak të shkeljeve procedurale dhe ka vendosur që procesi i radhës të zhvillohet pas një analize të detajuar të nevojave për avancim.

Në kuadër të pikës “Të ndryshme”, anëtarët kanë diskutuar çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit, duke theksuar se procesi do të trajtohet brenda trupave të KPK-së, me një analizë të detajuar dhe plotësim-ndryshim të Rregullores 07/2024 për Zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

KPK ka siguruar se çdo veprim në këtë proces do të jetë i drejtë, i pavarur, i paanshëm, transparent dhe i bazuar në parimin e meritokracisë, duke ftuar të gjithë të interesuarit të ndjekin nga afër aktivitetet e Këshillit.

 


MË SHUME NGA Kosovë