Çarshia e Madhe e Gjakovës, pasqyruar në fotografi historike
Islam Haxhiu/ RTK
Në kuadër të projektit për hartimin e Planit të Konservimit të Tërësisë Urbanistike “Çarshia e Madhe” në Gjakovë, në Galerinë e Arteve në këtë qytet është hapur ekspozita e fotografive, të cilat pasqyrojnë zhvillimin e qytetit ndër vite, shpërndarjen hapësinore sipas funksioneve kryesore në periudha të ndryshme, si dhe marrëdhënien e njerëzve me mjedisin fizik.
“Ideja është që gjithësecili prej vizitorëve të kalojë kokë më kokë nëpër disa fotografi të vjetra të qytetit të Gjakovës, për t’i lokalizuar në hapësirat e ndryshimit të atyre që sot duken në të njëjtat pozicione. Janë rreth 20 tablo fotografish panoramike që tregojnë një pjesë më të madhe të qytetit dhe e fillojnë procesin e hartimit”, tha Visar Haxhibeqiri, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë
“Sipas asaj që pash, më la përshtypje disa foto për të cilat ende nuk e kishim dijeni dhe të cilat datojnë nga shekulli XIX. Kjo është shumë e mirë për trashëgiminë tonë, për vlerësimin dhe rregullimin e objekteve të saj, si dhe për mbrojtjen e tyre në kushtet e sotme”, Masar Valla, arkeolog
Ky projekt, i bashkëfinancuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit me mbështetje teknike nga UN-Habitat në Kosovë, synon integrimin e trashëgimisë kulturore në planifikimin hapësinor për një zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës.























