27 vjet nga masakra në Podujevë, kërkohet drejtësi
BKT
Kosovë

27 vjet nga masakra në Podujevë, kërkohet drejtësi

Donika Sherifi /RTK

27 vjet më parë, në Podujevë ndodhi një tjetër masakër ndaj civilëve shqiptarë. Më 28 mars 1999, paramilitarët serbë të grupit kriminal të ashtuquajtur “Shkorpionët” vranë dhe masakruan 14 anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu. Të mbijetuarit kujtojnë krimet dhe kërkojnë drejtësi.

Në atë ditë, njësiti i Ministrisë së Brendshme të Serbisë, “Shkorpionët”, kishte mësyrë Podujevën. 14 anëtarë të familjeve Bogujevci dhe Duriqi u masakruan në një kopsht në qytet nga pjesëtarët e njësitit paramilitar. Ata nuk kursyen as fëmijët dhe gratë. Viktima më e re ishte një vajzë dyvjeçare.

Nga të vrarët, shtatë fëmijë të moshës 2 deri 15 vjeç dhe shtatë gra u ekzekutuan. Pesë fëmijë, Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genc Bogujevci, mbijetuan me plagë të rënda. Saranda u mbijetoi 16 plumbave, për të treguar aktin makabër të bërë nga barbarët serbë.

Në këtë përvjetor, krerët shtetëror përkujtuan sakrificën e të rënëve. Presidentja Vjosa Osmani shkroi se drejtësia për masakrën ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu mbetet detyrim që nuk shuhet me kohën.

“Kjo masakër mbetet dëshmi e egërsisë së një regjimi që nuk kurseu as jetët më të pambrojtura. Fëmijët që duhej të rriteshin në paqe dhe gratë që mbanin familjet u vranë barbarisht vetëm pse ishin shqiptarë”, ka shkruar Osmani.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri homazhe në nderim të civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe dhe tha se Kosova nuk i harron krimet e Serbisë dhe nuk do të ndalet duke kërkuar drejtësi.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, të mbijetuarit e kësaj masakre janë dëshmi e gjallë e krimit të Serbisë dhe forcës njerëzore përballë barbarisë.

“Një histori e shkruar me gjak, me guxim dhe me shpresë. Krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë kanë dëshmi dhe dëshmitarë. Ato duhet të shndërrohen në aktakuza konkrete dhe dënime të merituara. Institucionet tona kanë për obligim që këto dëshmi të bëhen themel i drejtësisë së mohuar për dekada”, ka shkruar Kurti.

 


MË SHUME NGA Kosovë