Shembet rruga në Prishtinë, disa zona mbesin pa rrymë e ujë
Sh.Çoçaj/RTKlive
(E plotësuar) Një segment i rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë është shembur plotësisht si pasojë e rrëshqitjes së dheut, duke shkaktuar bllokim të menjëhershëm të qarkullimit në këtë zonë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet përkatëse, përfshirë Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca, Inspektoratin, KEDS-in, Ujësjellësin dhe Policinë, të cilat kanë ndërmarrë masa për sigurimin e zonës dhe parandalimin e rrezikut për qytetarët.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin këtë segment rrugor dhe të respektojnë udhëzimet e dhëna nga ekipet në terren.
Si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga shembja, janë prekur edhe linjat e energjisë elektrike.
Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) ka njoftuar se një pjesë e konsumatorëve që furnizohen nga nënstacioni “Prishtina 6” kanë mbetur pa energji elektrike.
Sipas KOSTT-it, dëmtimet kanë ndikuar në rrjetin transmetues në nivelin 110 kV. Ekipet e tyre, në bashkëpunim me KEDS-in, ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht për sanimin e defekteve dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike.
KOSTT ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët e prekur, ndërsa autoritetet vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të ndërmarrin veprime për stabilizimin e plotë të infrastrukturës së dëmtuar.























