Gjilani bëhet gati për të burgosurit danezë|Video
Edona Podvorica/RTK
Brenda dy javëve pritet të nënshkruhet tenderi për fillimin e punimeve në hapësirat e reja në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.
Hapësirat e kësaj qendre po përshtaten për t`i pritur 300 të burgosur danezë, të cilët pritet të vijnë në Kosovë në pranverën e vitit të ardhshëm. Në mënyrë periodike, stafi danez po viziton Kosovën për ta çuar përpara këtë proces.
Edhe këtë javë, një ekip i tillë po monitoron procesin, i cili do të funksionojë plotësisht sipas sistemit të burgjeve të Danimarkës. Ekipet e para të stafit shërbyes tashmë janë trajnuar në Danimarkë, ndërsa po vazhdon dërgimi i ekipeve të tjera deri në plotësimin e nevojave për këtë qendër.
Mbi 20 punonjës do të vazhdojnë trajnimin gjatë 6 muajve të ardhshëm, duke filluar nga 20 prilli në Danimarkë.
“Atje janë duke u trajnuar edhe stafi korrektues; ka përfunduar grupi i parë. Atje ata veshin uniformën”, tha Ismail Dibrani, drejtor i Burgjeve të Kosovës.
Vetëm stafi shëndetësor brenda burgut të Gjilanit do të jetë danez, ndërsa pjesa tjetër do të përbëhet nga punonjës kosovarë që kanë shërbyer në këtë qendër prej vitesh. Dibrani thotë se janë në fazën përfundimtare të përgatitjeve, përfshirë edhe ndryshimet që do të pësojë kjo qendër për t’u përshtatur me kërkesat e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve.
“Burgu i Gjilanit aktualisht nuk është i populluar vetëm nga qytetarë të Gjilanit, por nga të gjitha rajonet, prandaj ata do të shpërndahen nëpër qendra të tjera”, tha Dibrani.
Sistemi danez i burgjeve konsiderohet ndër më të mirët në botë, thotë Dibrani, duke shtuar se kjo marrëveshje është një mundësi e mirë që sistemi kosovar të përvetësojë praktika të avancuara nga Danimarka.























