Tetovë, kryetarët shqiptarë fokusohen në forcimin e bashkëpunimit rajonal
Besnik Iseni/ RTK
Në Tetovë, u takuan kryetarë të komunave shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Luginës, në përpjekje për thellimin e bashkëpunimit dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë.
Forcimi bashkëpunimit rajonal dhe ndërkufitar, si dhe promovimi i trashëgimisë kulturore. Mblodhi në Tetovë kryetar të komunave shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Mali I Zi dhe Lugina.
Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës tha se "Sot do të promovojmë edhe një projekt tjetër në Tetovë, së bashku me Unionin e Bashkive Shqiptare, që ka të bëjë me qendrën e inovacionit për të rinjtë, ku sipas modelit të Tiranës, edhe në Tetovë, në kuadër të qendrës për kulturë dhe të rinj, do të kemi një qendër të tillë ku të rinjtë tanë do të mund të aftësohen për tregun e punës dhe sfidat që i presin sa i përket inovacionit”.
Nënkryetari i Unionit të Bashkive Shqiptare, por edhe kryetar i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj në fjalën e tij tha se, ndërtimi i rrugës Tetovë-Prizren do të mundësonte integrim kombëtar dhe rajonal. Por sipas tij, nuk ka transparencë në procesin e ndërtimit të kësaj rruge.
"Por projekti si i tillë, ideja për një projekt të tillë gjithsesi duhet të përshëndetet dhe duhet të besojmë se do të realizohet. Gjithsesi është një projekt i cili do të mundësonte integrim rajonal,integrim kombëtar dhe një predispozitë për zhvillim ekonomik", tha ai.
Unioni i komunave shqiptare në rajon është themeluar në vitin 2016 dhe shërben si platformë bashkëpunimi për realizimin e projekteve të përbashkëta.























