Pashkët bashkojnë familjet katolike në Gjakovë |Video
BKT
Kosovë

Pashkët bashkojnë familjet katolike në Gjakovë |Video

Islam Haxhiu/RTK

E diela e Pashkëve është kremtuar me atmosferë festive në familjet katolike të komunës së Gjakovës, ku përveç ruajtjes së traditës dhe bashkimit familjar, nuk munguan as urimet nga miqtë, kthimi i mërgimtarëve dhe mesazhet për paqe, solidaritet e bashkëjetesë.

E diela e Pashkëve, kjo festë e krishterë, e cila simbolizon rilindjen, jetën e re dhe shpresën, është pritur kudo nëpër familjet katolike në komunën e Gjakovës.

“Me e kujtu Fishtën, ‘vërtet kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e ndajmë bashkë’, është një festë e përbashkët, është festë e urimit. Zakonisht miq e dashamirë të besimit islam vijnë në këto festa, prandaj janë të respektueshëm dhe mirëseardhur”, tha Eduard Frrokaj nga Planqori.

Këtë kremte të madhe katolike po e begatojnë mërgimtarët tanë nga diaspora, të cilët pothuajse çdo vit vijnë në vendlindje për t’iu bashkuar më të dashurve të tyre.

“Si gjithmonë jemi munduar t’i mbajmë traditat. Tash e 38 vjet vijmë pothuajse gjithmonë për Pashkë, na thërret vendlindja. Është një atmosferë shumë e bukur, vijnë miq, dashamirë, vllaznia, si këta që erdhën tash”, tha mërgimtari Gjergj Lleshi.

“Zakonisht festat na bashkojnë njëri me tjetrin. Një emocion i veçantë është kur i shohim fëmijët duke ardhur për të mbledhur vezët, dmth ngjyra-ngjyra, ashtu siç dinë vetë t’i ngjyrosin me artin e vet. Edhe plot rruga është me fëmijë, e shohim një ndjenjë të veçantë nga ana e tyre, me gëzim të veçantë, sepse Pashkët janë për t’u gëzuar dhe për të festuar së bashku”, tha Palush Nikolla nga Dolli.

E në shumë familje, festës i është bashkuar edhe Ardian Gjini, kryetar i Gjakovës.

“Sot ishim në Kishë në Pjetërshan, ishte një meshë shumë e bukur. Tash jemi te vëllau ynë Palushi për urime. Janë festa të gjithë neve, shqiptarët janë popull i veçantë në krejt botën, si e kemi ruajtur veten, popullin dhe të qenit shqiptar, përkundër faktit që jemi besimtarë të ndryshëm”, tha Ardian Gjini, kryetar i Gjakovës.

Pashkët përfaqësojnë festën më të rëndësishme të krishterë, ringjalljen e Jezu Krishtit, ndërsa mesazhet kryesore të saj janë paqja, solidariteti dhe dashuria për gjithë njerëzimin.


MË SHUME NGA Kosovë