Dy vëllezërit Gashi me një fermë të suksesshme
Fadil Sertolli / RTK
Tradita e blegtorisë në shumë familje kosovare vazhdon të përshtatet me kohën dhe tregun. Një shembull i tillë është familja Gashi nga fshati Majac i Podujevës, e cila nga mbarështimi i deleve ka kaluar në një model më të avancuar të prodhimit të mishit dhe qumështit, duke investuar në viça të majmërisë dhe lopë qumështore.
Sami Gashi tregon se fillimisht nisën me një numër të vogël viçash për majmëri, por me kalimin e kohës e kanë rritur përvojën dhe kapacitetet.
“Deri në vitin 2017 jemi marrë kryesisht me dele, ndërsa më pas kemi filluar me viça të majmërisë, fillimisht me numër më të vogël”, thotë ai.
Sipas tij, procesi i majmërisë është i mirëorganizuar dhe jep rezultate të kënaqshme. Viçat që blihen me peshë rreth 180 kilogramë, brenda 7-8 muajve arrijnë deri në 700 kilogramë, kur edhe janë të gatshëm për treg.
“Gjatë kësaj periudhe viçat ushqehen tri herë në ditë dhe arrijnë të shtojnë deri në 2.5 kilogramë në ditë, varësisht nga raca dhe ushqimi”, thekson Gashi.
Ushqimi sigurohet nga vetë familja, e cila kultivon 13 hektarë tokë me drithëra. Ai shton se përveç ushqimit, një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e viçave luan edhe cilësia e ujit.
“Përveç ushqimit cilësor, shumë e rëndësishme është edhe uji i pastër dhe në sasi të mjaftueshme”, shprehet ai.
Sa i përket kujdesit shëndetësor, Gashi tregon se menjëherë pas blerjes, viçat kontrollohen dhe vaksinohen nga veterineri.
“Sëmundjet mund të barten më së shumti nga vizitorët që kanë qenë në stalla të tjera apo tregje të kafshëve, prandaj kemi shumë kujdes”, thotë ai.
Aktualisht, në stallën e tyre e cila është pjesërisht e hapur, mbarështohen rreth 20 viça të majmërisë. Sipas Gashit, edhe tregu është i qëndrueshëm.
“Shitjen e kemi të sigurt dhe edhe çmimi është i mirë”, shton ai.
Në të njëjtën kohë, vëllai i tij, Besim Gashi, merret me mbarështimin e lopëve qumështore. Aktualisht ai ka 10 krerë lopë, të cilat kanë prodhimtari të kënaqshme.
“Kërkesa për qumësht është më e madhe se sa prodhimi ynë. Nuk kemi problem me shitje dhe edhe çmimi është i mirë”, thotë Besimi.
Ai thekson se kujdesi shëndetësor është i vazhdueshëm, pasi kanë të kontraktuar një veteriner që kryen kontrolle të rregullta.
“Telashet më të shpeshta i kemi me sëmundjet e gjinjve, ndërsa trajtimin e thundrave ua bëjmë vetë”, shpjegon ai.
Edhe lopët ushqehen tri herë në ditë, ndërsa në racionin e mesditës përfshihen edhe karrotat si shtesë ushqyese.
Të dy vëllezërit kanë plane për zgjerim të aktivitetit, por realizimi i tyre varet nga ndërtimi i një ferme të re.
“Planifikojmë të rrisim numrin e kafshëve, por pa një stallë të re është e vështirë. Me mjete vetanake e kemi problem ta realizojmë”, thonë ata.
Në këtë drejtim, subvencionet nga institucionet vlerësohen si mbështetje e rëndësishme.
“Subvencionet janë të mirëseardhura dhe shpresojmë që të rriten edhe më shumë në të ardhmen”, përfundojnë vëllezërit Gashi.























