Shënohet përvjetori i masakrës në Studenicë, nderohen viktimat civile/Video
Islam Haxhiu/RTK
Në Studenicë të Istogut është shënuar 27-vjetori i njërës prej masakrave më të rënda në Kosovë, ku u vranë 11 civilë të pafajshëm. Në mesin e viktimave ishin katër vajza nën moshën 15 vjeç, katër gra dhe tre burra.
Familjarë të viktimave kanë kujtuar edhe një herë ngjarjen tragjike dhe dhimbjen e tyre.
“Këto i kanë vrare tre herë, një herë i kanë vrarë prej së afërmi, kur edhe është mbet buka e djegur në shporet. Tu u frikësuar që mos po mbetet kush gjallë, edhe një herë i kanë vrarë, për të dytën herë i kanë gjuajtur në bunar. Për të tretën herë, me mjete shpërthyese, bunarin e kanë eksploduar, për me i humb gjurmët e veta të masakre”, deklaroi Enver Lipaj, babai i dy vajzave të ekzekutuara.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë qytetarë të Istogut dhe të Kosovës, si dhe përfaqësues të institucioneve lokale.
“Para këtij lapidari fjalët gjithmonë duken të vogla. Këtu nuk flasim shumë, këtu ndjejmë, kujtojmë dhe përulemi. Masakra e Studenicës mbetet një nga plagët më të rënda të historisë sonë të re. Ajo është një kujtesë e dhimbshme për jetët e pafajshme që u ndërprenë në mënyrën më mizore. Për familjet martire Lipaj, Mehaj dhe Zeqiraj, mbetet gjithmonë pjesë e kësaj dhimbjeje kolektive”, tha Genc Ademaj, nënkryetari i Istogut.
Ndërsa kryetari i OVL-UÇK-së, Muhamet Demaj, theksoi se masakra e Studenicës nuk do të harrohet dhe se viktimat do të kujtohen gjithmonë.
“Sot përkujtojmë domethënë njërën nga masakrat më makabre që i ka bërë regjimi serb dhe nuk do ta harrojmë asnjëherë. Sot prania juaj dëshmon që ne sot i kujtojmë ata dhe nuk i harrojmë asnjëherë”, tha Demaj.
Pas manifestimit qendror, familjarë dhe qytetarë vendosën buqeta lulesh pranë përmendoreve të viktimave, duke nderuar kujtimin e tyre.
Po ashtu, në Orrobërdë të Istogut u përurua lapidari për dëshmorët e kombit Qazim Hakaj, Sylë Çetaj dhe Nexhmedin Hakaj.























