Vdekjet në vendin e punës, nisin aksione 15-ditore të inspektimit
BKT
Kosovë

Vdekjet në vendin e punës, nisin aksione 15-ditore të inspektimit

Medina Pasoma / RTKlive

Për 15 ditë me radhë, Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës do të realizojnë aksione të gjera inspektimesh në vendet e punës në gjithë vendin.

Ky vendim i përbashkët ndërinstitucional vjen pas disa rasteve të vdekjeve në vendin e punës në mënyrë tragjike brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Fokusi i aksioneve do të jetë te inspektimi në sektorët me rrezikshmëri të lartë si ndërtimtaria, ndërkaq qëllimi është te rritja e nivelit të sigurisë.

“Një aksion i tillë me shtrirje të tillë territoriale në të gjithë shtetin dhe me 90% të angazhimit të kapaciteteve tona të burimeve njerëzore dhe logjistike sipas të gjitha gjasave bëhet ndoshta për herë të parë në kuadër të këtij institucioni”, tha u.d. i drejtorit ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, Kastriot Jashari.

Jashari tha se qëllimi është ushtrimi i autoritetit sipas mandatit ligjor. Ai potencoi se bizneset mbesin partnerë për IQP-në por se partneriteti kërkon përmbushjen e detyrimeve.

“Në kuadër të kësaj ne po përpiqemi që të ndryshojmë disa praktika në mënyrë që të dihet rregulli i qartë në respektimin e kushteve të sigurisë së punës për të gjithë shtetasit tanë. Në përgjithësi sot fillon aksioni në tre rajone ose pjesë të Republikës së Kosovës. Me gjasë që do të fillohet në Prishtinë, në Ferizaj dhe në Fushë Kosovë, por kjo do të jetë domethënë në varësi të planit operativ që e kemi organizuar si institucion”, tha ai.

Udhëheqësi i Divizionit për Rajonin e Prishtinës, Ahmet Delolli, bëri të ditur se aksioni do të zhvillohet në të shtatë rajonet e vendit me ekipe të shumta inspektuese.

“Plani operativ do të zhvillohet me 15 ekipe inspektuese, 30 inspektorë të angazhuar në terren i cili do të zgjasë në 14 ditë vijuese të aksionit”, tha ai.


MË SHUME NGA Kosovë