Akademi përkujtimore në nderim të dëshmorëve të Komunës së Prishtinës
Kimete Kasumi/ RTKlive
Në Prishtinë është mbajtur akademi përkujtimore në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të komunës, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, familjarë të dëshmorëve, si dhe qytetarë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në fjalën e tij theksoi se sakrifica e dëshmorëve është themeli mbi të cilin qëndron liria e Kosovës. Ai u shpreh se çdo arritje e përditshme në kryeqytet, nga shkollat, hapësirat publike e deri te mirëqenia e qytetarëve, bart në vete pjesë të kontributit dhe gjakut të tyre.
“Sonte zemra e Prishtinës rreh në nderim të bijve dhe bijave më të lavdishme, të cilët i dhanë kësaj toke më të shtrenjtë, jetën e tyre për liri”, tha Rama, duke shtuar se institucionet kanë për detyrë të ndërtojnë një shtet me drejtësi, integritet dhe dinjitet në përputhje me idealet e dëshmorëve.
Gjatë akademisë, u shpreh respekt i veçantë për familjet e dëshmorëve, duke vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e tyre ndër vite.
Në emër të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, Naser Pacolli theksoi se dëshmorët mbeten pjesë e përhershme e ndërgjegjes kombëtare dhe një udhërrëfyes për brezat e ardhshëm. Sipas tij, ata nuk kërkojnë vetëm përkujtim, por vazhdimësi të vlerave për të cilat sakrifikuan.























