Mbrojtja e natyrës kërkon angazhim të përditshëm / Video
BKT
Kosovë

Mbrojtja e natyrës kërkon angazhim të përditshëm / Video

Arbana Hajredinaj /RTK

Dita Ndërkombëtare e Tokës po shënohet edhe në Kosovë me aktivitete që synojnë mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e ndërgjegjësimit qytetar.

Në këtë kuadër, dhjetëra vullnetarë i janë bashkuar aksionit për pastrimin e liqenit të Badocit, një nga burimet kryesore të ujit të pijshëm për Prishtinën dhe rrethinën.

“Dita e Tokës po e gjen Kosovën të ndotur, po i gjen liqenet e ndotura, ujëra të ndotura, pra, pothuajse çdo hapësirë publike vazhdon të mos trajtohet mirë, në anën tjetër institucionet fatkeqësisht po vazhdojnë të jenë neglizhente ndaj kësaj problematike andaj unë ju bëj thirrje të gjithëve duke filluar që prej qytetarëve që të kemi kujdes pavarësisht prej institucioneve nëse nuk janë përgjegjëse për sa i përket mirëmbajtjes”, ka thënë  Luan Hasanaj, drejtor ekzekutiv në “Let’s Do It Kosova”.

Pavarësisht rëndësisë që ka ky liqen, ai vazhdon të përballet me ndotje të vazhdueshme nga mbeturinat që lihen nga vizitorët, por edhe nga mungesa e masave konkrete për mbrojtjen e tij.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se ndotja e ujit mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e qytetarëve, duke qenë se nga ky burim furnizohen rreth 25 për qind e banorëve të Prishtinës dhe mbi 100 fshatra përreth.

“Nuk jam pjesë e organizatës veç vullnetarisht kemi dal sot me ju ndihmuar në ketë aktivitet. Qysh e dina edhe vet vendi gjithkah ka ndotje, por ma shumë të dhemb kur e sheh, kur ja nis me pastru se është fatkeqësi me pa”, ka thënë Besa Cani, vullnetare.

?Kemi ardhur përmes KRU Prishtina që të ndihmojmë vullnetarët që po pastrojnë rreth liqenit, dhe jemi këtu për çka do që kanë nevojë. Jemi një ekip prej pesë punëtorëve”, ka thënë Dragan Sheshlija, KRU “Prishtina”.

Përmes aktiviteteve të tilla, qytetarët synojnë ta japin një mesazh të qartë: mbrojtja e natyrës kërkon angazhim të përditshëm dhe përgjegjësi të përbashkët.


MË SHUME NGA Kosovë