Mbi 160 vajza sfiduan veten në garën e Sigurisë Kibernetike|Video
Fatos Cërvadiku/RTK
Dita Ndërkombëtare e Vajzave në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, tashmë një iniciativë globale, synon t`i inkurajojë dhe fuqizojë vajzat dhe gratë e reja për të ndjekur karrierë në teknologji. Me këtë rast, nxënëse dhe studente u sfiduan në një garë të sigurisë kibernetike, e cila vlerësohet si hap i rëndësishëm drejt përfshirjes në tregun e punës.
Mbi 160 vajza sfiduan veten përmes një gare në fushën e sigurisë Kibernetike, hap ky që synon përfshirjen sa më të madhe të vajzave në këtë fushë, që nënkupton një hap më afër tregut të punës.
"Fusha e sigurisë kibernetike çdo ditë bëhet më e nevojshme dhe e domosdoshme për zhvillimin e jetës sonë. Unë kam qenë e para që kam zgjedhur sfidën e parë", tha Diella Kika, pjesëmarrëse në garë.
"Gara ka për qëllim të na sfidojë dhe është e rëndësishme që çdo vajzë të marrë pjesë në aktivitete që sfidojnë aftësitë tona, për t'u përgatitur për tregun e punës", shtoi Era Dragusha, pjesëmarrëse tjetër.
"Vajzat po sfidojnë veten me detyra nga fusha e sigurisë kibernetike dhe po ashtu prezantojnë ide nga industria. Ky bashkëpunim është pikërisht ajo që kërkohet sot", theksoi Blerim Rexha, profesor.
Ky edicion i garës u mbajt për nder të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, një nismë që promovon përfshirjen e vajzave në teknologji dhe siguron një hap përpara për karrierat e tyre të ardhshme.























