Certifikohen 44 zyrtarë të NJRSH-së pas trajnimit për `Ballafaqim me turma`
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, janë certifikuar 44 zyrtarë policorë të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSH), pas përfundimit me sukses të trajnimit dyjavor në fushën e “Ballafaqimit me turma”.
“Trajnimi është realizuar nga instruktorët e Drejtorisë së Njësisë Speciale Operative (DNJSO), përmes Divizionit të Trajnimeve në kuadër të Departamentit të Burimeve Njerëzore, me fokus në ngritjen e kapaciteteve profesionale për menaxhimin e situatave me turma dhe tubime publike”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, ky aktivitet është pjesë e një cikli të planifikuar trajnimesh që do të vazhdojë me përfshirjen e NJRSH-së në të gjitha tetë (8) rajonet policore, në përputhje me konceptin nacional për menaxhimin e trazirave qytetare.
“Ky aktivitet përbën pjesë të një cikli të planifikuar trajnimesh, i cili do të vazhdojë me përfshirjen e NJRSH-së në të gjitha tetë rajonet policore, në përputhje me konceptin nacional për menaxhimin e trazirave qytetare,” thuhet më tej në njoftim.
Policia e Kosovës thekson gjithashtu angazhimin e saj për zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe forcim të kapaciteteve operative.
“Policia mbetet e përkushtuar në zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe forcimin e kapaciteteve operative, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike,” përfundon njoftimi.























