Hykolli: Jeta dhe shëndeti i punëtorëve duhet të jenë prioritet
BKT
Kosovë

Hykolli: Jeta dhe shëndeti i punëtorëve duhet të jenë prioritet

M.Shefkiu/RTKLive

Me rastin e Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka deklaruar se siguria dhe shëndeti në punë duhet të jenë prioritet i qartë i punëdhënësve, si pjesë e obligimeve dhe përgjegjësisë së tyre ndaj punëmarrësve.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbikëqyrja dhe zbatimi i standardeve të sigurisë në punë mbeten detyrim i vazhdueshëm i institucioneve përgjegjëse dhe i partnerëve socialë.

Në kuadër të kësaj dite, BSPK ka sjellë në vëmendje rëndësinë e garantimit të kushteve të sigurta në vendin e punës, duke theksuar se kjo çështje prek drejtpërdrejt jetën dhe dinjitetin e punëtorëve.

Sipas Hykollit, kjo ditë shërben për të rritur ndërgjegjësimin mbi parandalimin e aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, si dhe për të kujtuar punëtorët që kanë humbur jetën apo janë lënduar në vendin e punës.

“Siguria dhe shëndeti në punë janë të drejta themelore, të cilat nuk mund të mbeten vetëm pjesë e një dite shënjuese. Kjo ditë rrit ndërgjegjësimin për parandalimin e aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale, por është edhe një moment ndalese për të kujtuar ata që janë lënduar ose kanë humbur jetën në vendin e punës. Kujtesa për ta kërkon përgjegjësi, ndërsa përgjegjësia kërkon veprim”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se roli i Këshillit Ekonomiko-Social të Kosovës duhet të fuqizohet si hapësirë dialogu dhe koordinimi, ndërsa angazhimi i Inspektoratit të Punës të Kosovës kërkon thellim përmes një mbikëqyrjeje më të shpeshtë dhe më parandaluese në terren.

Një qasje e tillë, sipas tij, nuk synon vetëm reagimin ndaj shkeljeve, por ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të parandalimit, ku mjedisi i punës bëhet më i sigurt dhe më i shëndetshëm për të gjithë.

“Në këtë frymë, BSPK bën thirrje për veprime konkrete, për zbatim të ligjit dhe për një përkushtim të përbashkët institucional e shoqëror, ku jeta dhe shëndeti i punëtorit vendosen mbi çdo interes tjetër”, ka deklaruar Hykolli, përcjell BSPK.


MË SHUME NGA Kosovë