Në Mollopolc të Shtimes shënohet 27-vjetori i betejës së fshatit |Video
BKT
Kosovë

Në Mollopolc të Shtimes shënohet 27-vjetori i betejës së fshatit |Video

Driton Ramadani/RTK

Në Mollopolc të Shtimes është shënuar 27-vjetori i betejës së këtij fshati. Ish-ushtarë dhe oficerë, pjesëmarrës në këtë betejë, kanë evokuar kujtime nga ajo ditë, si dhe nga luftimet që ishin zhvilluar në mbrojtje të popullatës civile shqiptare nga sulmet e regjimit të atëhershëm të Serbisë.

Në 27-vjetorin e Betejës së Mollopolcit, ish-komandanti i UÇK-së, Nysret Salihaj, ka kujtuar luftën e zhvilluar në përpjekje për të ndaluar okupatorin serb për shpartallimin e bazës së komandës së UÇK-së së Zonës Operative të Nerodimes, e cila ishte vendosur në fshat.

“Një muaj ditë rresht është luftuar dhe nuk kanë mundur ta thyejnë këtë pikë. Lufta është bërë sigurisht me ndihmën e të gjitha kompanive që kanë qenë në Rancë, Reçak, Petrovë, Mollopolc, Jezercë, por që kryesisht luftimet janë bërë këtu në fshatin Mollopolc”, ka thënë Nysret Salihaj.

Edhe ish-komandanti i kompanisë së parë të Batalionit të Brigadës 161 “Ahmet Kaçiku”, Afrim Mehmeti, ka folur për rëndësinë strategjike të fshatit gjatë luftës.

“Koncentrimi më i madh i forcave të zonës operative të Nerodimës ishte në fshatin Mollopolc, sepse prapa pozicioneve tona mbroheshin jo vetëm familjet dhe popullata civile, por edhe vetë zemra komanduese e luftës sonë”, ka thënë Mehmeti.

Në manifestimin e organizuar me këtë rast është theksuar edhe kontributi i banorëve të fshatit.

“Mollopolci nuk i hapi vetëm dyert e shtëpive, por hapi edhe zemrat për luftëtarët e lirë. Fshati ndau bukën, strehimin dhe kujdesin për ushtarët e lirisë, duke u bërë pjesë e pandashme e historisë”, ka thënë përfaqësuesi i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa.

Me këtë rast janë përkujtuar edhe të gjithë të rënët për lirinë e vendit. 


MË SHUME NGA Kosovë