Nisin punimet për rrugën Mushtisht–Delloc, investimi 1 milion euro
N. Mekolli /RTKlive
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Dimal Basha, morën pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për rrugën rajonale R-118, që lidh Mushtishtin me Dellocin.
Projekti, me gjatësi 1140 metra dhe vlerë rreth 1 milion euro, synon të përmirësojë lidhjen ndërmjet Suharekës dhe Shtërpcës, duke kaluar përmes Mushtishtit dhe duke krijuar lehtësira për qarkullimin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Kurti theksoi rëndësinë e kësaj rruge për turizmin dhe bizneset, duke nënvizuar potencialin e zonës nga bjeshkët e Mushtishtit deri në Brezovicë. Ai gjithashtu i bëri thirrje operatorit ekonomik që punimet të zhvillohen me ritëm të përshpejtuar.
Sipas tij, projekti do të ndikojë edhe në përmirësimin e kushteve për bashkatdhetarët që vizitojnë Kosovën, duke u mundësuar qasje më të lehtë në zonat turistike.























