Përkujtohen dëshmorët e Dushkajës, kujtohet beteja e 17 majit 1999
Islam Haxhiu/RTK
Në kompleksin përkujtimor në Shqiponjë të Dushkajës janë përkujtuar 42 dëshmorët e këtij lokaliteti, pjesëtarë të Brigadave 132 “Myrtë Zeneli” dhe 135 “Agim Zeneli”.
Pas homazheve pranë varreve të dëshmorëve, në 27-vjetorin e çlirimit të Jabllanicës, ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka evokuar momentet vendimtare të betejës së 17 majit 1999, e cila kulmoi me çlirimin e Jabllanicës, duke u bërë një nga vendet e para të çliruara në Kosovë.
Ky fakt, sipas tij, është konfirmuar edhe nga ish-zëdhënësi i forcave të NATO-s, Xhimi Shea. Haradinaj theksoi se kjo fitore erdhi falë sakrificës dhe vendosmërisë së lartë të ushtarëve të UÇK-së në përballje me forcat serbe.
Ai shtoi se gjatë kësaj beteje, forcat e UÇK-së u shkaktuan humbje të mëdha forcave armike, si në njerëz ashtu edhe në teknikë luftarake, duke konfiskuar një sasi të konsiderueshme armësh, municioni dhe artilerie, përfshirë edhe topa të kalibrit 3x20 mm.
Sipas Haradinajt, 17 maji i vitit 1999 shënon një nga ngjarjet më të lavdishme të UÇK-së në luftën për lirinë e Kosovës, duke zënë një vend të veçantë në historinë e vendit.
























