Suspendohet drejtori i shkollës në Gjakovë / Video
BKT
Kosovë

Suspendohet drejtori i shkollës në Gjakovë / Video

Edon Gerbani / RTK

Drejtoria Komunale e Arsimit ka suspenduar drejtorin e shkollës “Pjetër Bogdani” në Demjan, pas publikimit të rastit në media.

Sipas drejtorit të Arsimit në Gjakovë, Hysen Brahimaj, procedurat disiplinore janë iniciuar menjëherë pasi institucioni është njoftuar për rastin.

“Dje pasdite, rreth orës 16:00-17:00, kam marrë informacion për videon e publikuar nga mediumi. Menjëherë, edhe pse kishte përfunduar orari i punës, jam kthyer në zyrë dhe kam kërkuar nga komisioni në nivel komunal, përkatësisht komisioni disiplinor dhe ai për shkeljet e të drejtave të punëtorëve, që të ndërmerren masa urgjente. Në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë kam kërkuar që ndaj ish-drejtorit të shkollës “Pjetër Bogdani”, Nazmi Pnishi, të merren masa të menjëhershme për të ruajtur integritetin e institucionit”, ka thënë Hysen Brahimaj, Drejtor i Arsimit në Gjakovë.

Brahimaj tha se aktualisht ekziston bashkëpunim i vazhdueshëm me Policinë dhe Prokurorinë, ndërsa të gjitha informacionet që posedon drejtoria janë vënë në dispozicion të hetuesve.

 “Drejtoria e Arsimit është e hapur 24 orë për Policinë dhe Prokurorinë. Kemi pasur tri deri në katër kontakte me hetuesit. Të gjitha informacionet që mund t’i posedojmë i kemi vënë në shërbim të tyre. Deri më tani nuk kemi informacione të tjera lidhur me zhvillimet e mëtejme të rastit”, ka shtuar Brahimaj.

Ai u bëri thirrje mësimdhënësve, prindërve dhe qytetarëve që çdo informacion apo dyshim që cenon sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve, të raportohet menjëherë tek institucionet përgjegjëse.

Ndërkaq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drin Domi, tha se Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, po i ndërmerr veprimet dhe verifikimet e nevojshme lidhur me rastin.

Sipas tij, hetimet janë në zhvillim e sipër, ndërsa veprimet e mëtejme do të ndërmerren në përputhje me rezultatet e procedurave hetimore dhe legjislacionin në fuqi.

Ndërkohë, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e raportuar në Komunën e Gjakovës, ku drejtori i një shkolle dyshohet për ngacmim seksual ndaj një nxënëseje 17-vjeçare.

Përmes një reagimi publik, KOMF u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke garantuar trajtim parësor të rastit, mbështetje të menjëhershme për të miturën dhe vendosje të drejtësisë.

KOMF ka kërkuar gjithashtu llogaridhënie të plotë dhe transparencë në trajtimin e rastit, në mënyrë që raste të tilla të mos mbeten pa ndëshkim.


MË SHUME NGA Kosovë