DigiCamp dhe Digital Skills Festival 2026 hapin edicionin e katërt
Valbona Thaçi / RTKLive
Në Prizren është mbajtur ceremonia e hapjes së edicionit të katërt të DigiCamp dhe Digital Skills Festival 2026, një ngjarje që po organizohet për të katërtin vit me radhë dhe që synon promovimin dhe zhvillimin e kapaciteteve digjitale në vend.
Në fjalën e tij hapëse, Kushtrim Canolli, zyrtar i lartë në Zyrën e Kryeministrit dhe koordinator i procesit të barrës administrative në nivel qendror dhe lokal, theksoi rëndësinë e këtij eventi dhe zhvillimin e tij ndër vite.
“Rëndësi e veçantë t’ju uroj mirëseardhje në DigiCamp dhe Digital Skills Festival 2026, një ngjarje që tashmë organizohet për të katërtën herë radhazi që është shndërruar edhe në një traditë të rëndësishme institucionale për zhvillimin dhe promovimin e kapaciteteve digjitale në vendin tonë,” u shpreh Canolli.
Ai kujtoi edhe evolucionin e formatit të ngjarjes përgjatë viteve, duke përmendur përfshirjen e institucioneve ndërkombëtare, shërbyesve civilë dhe studentëve në faza të ndryshme.
“Herën e parë kemi pasur ligjërata nga institucionet e ndryshme ndërkombëtare me shërbyes civil si dëgjues. Herën e dytë shërbyesit civil kanë bërë produkte të veta për administratë… ku kemi prodhuar, me me thënë, një chatbot për herë të parë për prokurim publik. Herën e tretë jemi bërë bashkë me Digital Skills Festival ku, faktikisht, studentët kanë garuar për me i zgjidhur sfidat e qeverisë me monitorimin e shërbyesve civil,” tha ai.
Duke folur për edicionin e katërt, Canolli theksoi risitë e këtij viti.
“Ndërsa hera e katërt risia është që kjo sot është që, po e njëjta, kanë me zgjedhur studentët sfidat e qeverisë, mirëpo kësaj herë kemi edhe regional context ose regional competition dhe, po ashtu, kemi edhe junior hackathon që janë prej shkollave të mesme apo të rinjve tanë,” u shpreh ai.
Në fjalën e tij, ai falënderoi edhe bashkëpunëtorët dhe partnerët e përfshirë në organizim, duke përmendur një sërë zyrtarësh dhe kontribuuesish.
Po ashtu, Canolli theksoi rëndësinë e hapave të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës në fushën e digjitalizimit, përfshirë krijimin e Ministrisë për Digjitalizim dhe Administratë Publike.
“Ky institucion përfaqëson shtyllën kyçe për drejtimin e transformimit digjital, inteligjencën artificiale, përmirësimin e shërbimeve publike, rritjen e transparencës digjitale dhe shumë aspekte të tjera të rëndësishme,” tha ai.
Ndërsa, ministri në detyrë për Digjitalizim dhe Administratë Publike, Lulëzon Jagxhiu, i cili theksoi rëndësinë e ngjarjes si platformë bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik, privat dhe akademik.
“Është shumë kënaqësi për mua të kthehem këtu në ITP, që tashmë është një platformë shumë e rëndësishme e ekosistemit të inovacionit në vendin tonë dhe të kthehem pikërisht për DigiCamp dhe Digital Skills Festival 2026, pra edicionin e katërt tashmë”, tha ai.
Ai shtoi se ngjarja tashmë është shndërruar në traditë dhe ka një rol të rëndësishëm në transformimin digjital.
“Pra, është shndërruar tashmë në një ngjarje tradicionale që e bashkon sektorin publik, administratën tonë publike, sektorin privat, atë akademik në disa ditë ku punohet, mësohet edhe bashkëkrijohet me synimin që ta shtyjmë përpara në mënyrë inovative transformimin digjital në vendin tonë”, u shpreh Jagxhiu.
Duke folur për zhvillimin e eventit ndër vite, ai theksoi përfshirjen gjithnjë e më të gjerë të aktorëve të ndryshëm.
“Domethënë, i përmendi Kushtrimi, kemi tash edhe pjesëmarrjen e më të rinjve, pra juniorëve, nxënësve të moshës 14 deri në 17 vjeç, por gjithashtu edhe karakterin tashmë rajonal të kësaj ngjarje ku kemi pjesëmarrje aktive edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”, tha ai.
Jagxhiu u ndal edhe te rëndësia e hackathon-it dhe temat e tij, duke theksuar zhvillimet teknologjike dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.
“Inteligjenca artificiale është ajo që është duke definuar jo më të ardhmen, po të sotmen tonë. Pra, jemi duke folur për një zhvillim të vrullshëm të inteligjencës artificiale”, tha ai.
Sipas tij, përdorimi i teknologjive të reja është rritur ndjeshëm në nivel global dhe institucional.
“Sot statistikat flasin që së paku çdo i gjashti banor i botës, domethënë, përdor inteligjencën artificiale. Nuk ka institucion e kompani që nuk përdor inteligjencën artificiale, edhe qeveria jonë nuk është përjashtim”, u shpreh Jagxhiu.
Ai shtoi se inteligjenca artificiale tashmë është pjesë e sistemeve të reja shtetërore dhe teknologjike.
“Edhe ne në të gjitha sistemet e reja që krijohen sot, inkuadrojmë inteligjencën artificiale në formë të veglave dhe mundësuesve të funksionaliteteve të ndryshme”, tha ai.
Në fund, ministri theksoi edhe ndikimin global të inteligjencës artificiale në sektorë të ndryshëm.
“Vetëm në aspektin e konsumit të energjisë kemi 17% rritje për shkak të data-qendrave të orientuara në inteligjencë artificiale… Pra, inteligjenca artificiale sot e përcakton mënyrën se si ne punojmë, si mësojmë dhe si jetojmë”, përfundoi Jagxhiu.























