Komuna e Malishevës dhe UNDP mbështesin katër projekte të shoqërisë civile
BKT
Foto: Komuna e Malishevës
Kosovë

Komuna e Malishevës dhe UNDP mbështesin katër projekte të shoqërisë civile

Valbona Thaçi / RTKLive

Komuna e Malishevës dhe UNDP kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit në kuadër të programit ReLOaD3, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, i cili synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe shoqërisë civile.

Marrëveshja u nënshkrua në Prishtinë nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe Zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Dudley Tarlton, në prani të koordinatorit Mehdi Krasniqi, njofton Komuna e Malishevës.

Sipas njoftimit në kuadër të këtij programi, katër organizata të shoqërisë civile kanë përfituar mbështetje financiare për realizimin e projekteve me interes për qytetarët.

“Miqësia”, PRAK – Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, “Rona/Fatjona” dhe Klubi i Futbollit të Femrave “16 Qershori” janë organizatat përfituese të mbështetjes.

Projektet e financuara fokusohen në përmirësimin e shërbimeve sociale, fuqizimin e grave dhe të rinjve, përfshirjen sociale dhe zhvillimin lokal në Komunën e Malishevës.


MË SHUME NGA Kosovë