OVL nderon me mirënjohje veteranët e operacionit `Shigjeta` |Video
BKT
Kosovë

OVL nderon me mirënjohje veteranët e operacionit `Shigjeta` |Video

Myrvete Axhami / RTK-Prizren

Në Prizren është shënuar 27-vjetori i operacionit “Shigjeta” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë manifestim morën pjesë përfaqësues institucionalë, ish-komandantë dhe qytetarë. Për kontributin e dhënë në luftë për lirinë e vendit, me mirënjohje u nderuan dhjetëra veteranë.

27 vjet më parë, Maja e Pashtrikut të Prizrenit ishte kthyer në front të hapur të luftës së UÇK-së kundër regjimit serb, i cili në atë kohë vriste popullatën e pafajshme dhe digjte shtëpitë e shqiptarëve.

Operacioni "Shigjeta", që vepronte në atë zonë, kishte ndikim në mobilizimin e gjerë të shqiptarëve nga Kosova dhe diaspora, duke forcuar radhët e UÇK-së në një periudhë vendimtare të luftës, tha ish-gjenerali Agim Çeku.

" Me bindje, përgjegjësi dhe njohuri që i kam, po e them se ka qenë operacioni më i lavdishëm i UÇK-së. Ky operacion, jo që ka ndikuar bindshëm në përfundimin e luftës, por i ka dhënë një vulë, një imazh krejt tjetër UÇK-së", ka thënë Agim Çeku- Gjeneral i luftës së UÇK-së.

"Operacioni "Shigjeta" nuk ishte vetëm një operacion ushtarak, ai ishte kulmi i organizimit, i sakrificës dhe i bashkimit të Kombit Shqiptar, ishte momenti ku luftëtarë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora, iu përgjigjën thirrjes për liri", ka thënë Muhamet Ibrahimi - Veteran i Luftës.

"Operacioni Shigjeta nuk ishte vetëm betejë, ishte shpërthimi i një populli që nuk pranonte përuljen, ishte zëri i shqiptarëve që zgjodhën qëndresën para nënshtrimit, dhe flijimin e një jetë pa atdhe", ka thënë Florent Seferi - OVL e UÇK-së Amerikë.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, në fjalën e tij e vlerësoi operacionin ?Shigjeta? më shumë se një aksion ushtarak, duke e cilësuar atë si një shprehje të vendosmërisë për liri.

"Me gjakun dhe sakrificën e tyre, heronjtë tanë hodhën themelet e shtetit tonë, përballë plumbave dhe granatimeve, ata qëndruan si një mur i vetëm, sot dhe përgjithmonë ne përulemi para gjakut të dëshmorëve të rënë në këtë operacion dhe gjithë dëshmorëve të lirisë", ka thënë Totaj.

27 vjet pas luftës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nderoi me mirënjohje veteranët që kontribuuan për lirinë e Kosovës.


MË SHUME NGA Kosovë