Banorët kthehen në Jezerc për faljen e Kurban Bajramit
Driton Ramadani|RTK
Edhe pse shumë banorë të fshatit Jezerc janë shpërngulur ndër vite, festa e Kurban Bajrami i mblodhi sërish bashkë në xhaminë e fshatit. Të kthyer nga malli dhe dashuria për vendlindjen, ata thanë se kjo traditë po i bashkon dhe po e mban gjallë lidhjen me vendin e tyre. VS:
Ndonëse pjesa më e madhe e banorëve të fshatit Jezerc janë shpërngulur, falja e namazit të Kurban Bajramit i bëri ata bashkë në xhaminë e fshatit.
Banorët thonë se në fshatin e tyre, në ditë si kjo, kthehen nga malli dhe dashuria që kanë për vendlindjen.
“Edhe pse jam shpërngulur, për festën e Bajramit, për shkak të mallit për fshatin, tubohemi në Jezerc. Mirë është, sepse pas shumë kohësh po takohemi”, tha Hasan Murati, banor.
Kurse Mejdi Hajdari, u shpreh i kënaqur sepse nuk po e harrohet vendlindja.
"Është shumë mirë që vijnë dhe duhet të kthehen, sepse tashmë ka filluar edhe turizmi në Jezerc", tha ai.
Drejtuesit e xhamisë thanë se është privilegj të shërbehet në këtë vend.
“Duke marrë parasysh se kjo xhami është shumë e vjetër, një ndër më të vjetrat në rajonin e Ferizajt, ajo që e veçon këtë xhami dhe festën e Bajramit është fakti se çdo i madh e i vogël, çdo jezercas, kthehet në vendlindjen e tij për ta festuar së bashku dhe për ta falur namazin e Kurban Bajramit”, Veton Jashari, imam në xhaminë e fshatit Jezerc.
Pas faljes së Bajramit, ata uruan që kjo traditë të vazhdojë dhe banorët t’i kthehen fshatit për të jetuar.























