Mot i ndryshueshëm gjatë vikendit në Kosovë
RTKlive
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë vikendit vendi do të përfshihet nga mot i ndryshueshëm, me diell, vranësira dhe intervale me reshje shiu.
Të shtunën parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Gjatë pjesës së dytë të ditës vranësirat do të intensifikohen, duke krijuar kushte për reshje shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 deri në 14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 25 deri në 28 gradë Celsius.
Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi 1 deri në 11 metra në sekondë.
Të dielën parashihet mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 deri në 13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 24 deri në 27 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1 deri në 7 metra në sekondë.
Instituti thekson se indeksi UV gjatë intervaleve me diell do të jetë i lartë, ndaj rekomandohet shmangia e ekspozimit të gjatë në diell, veçanërisht nga ora 10:00 deri në 16:00.























