Tregu Mobil rikthehet në Prishtinë
Sh.G|RTKlive
Komuna e Prishtinës rikthen edhe këtë vit Tregun Mobil, një iniciativë që synon të afrojë produktet e freskëta dhe cilësore të fermerëve dhe artizanëve vendorë më pranë qytetarëve.
Përmes këtij organizimi, qytetarët do të kenë mundësinë të blejnë produkte vendore drejtpërdrejt nga fermerët dhe prodhuesit, duke mbështetur njëkohësisht prodhimin lokal, ekonominë e vendit dhe konsumimin e ushqimeve të freskëta e cilësore.
Tregu Mobil krijon një urë lidhëse mes prodhuesve dhe konsumatorëve, duke promovuar vlerat e bujqësisë dhe artizanatit vendor, si dhe duke ofruar një hapësirë ku qytetarët mund të njihen nga afër me punën dhe përkushtimin e fermerëve dhe artizanëve.
Edhe këtë vit, Tregu Mobil do të jetë i pranishëm tri herë në javë, në tri sheshe të Kryeqytetit, duke e bërë më të lehtë qasjen e qytetarëve në produkte vendore dhe duke inkurajuar mbështetjen e prodhuesve lokalë.
Komuna e Prishtinës fton të gjithë qytetarët që ta vizitojnë Tregun Mobil, të zgjedhin produkte vendore me cilësi të lartë dhe të kontribuojnë në fuqizimin e ekonomisë lokale përmes mbështetjes së fermerëve dhe artizanëve të vendit.























