Zjarri në deponinë e mbeturinave në Pejë, akuza për neglizhencë
BKT
Kosovë

Zjarri në deponinë e mbeturinave në Pejë, akuza për neglizhencë

Edon Gerbani /RTK

Deponia rajonale e mbeturinave në fshatin Sferkë tash e disa ditë është përfshirë nga një zjarr masiv, i cili ka shkaktuar një katastrofë ekologjike dhe alarm shëndetësor për mijëra banorë të zonës.

Ndërsa banorët lokalë nuk guxojnë të hapin as dritaret e shtëpive, kriza ka marrë edhe përmasa ligjore. Zyrtarët e menaxhimit të deponive po përballen me akuza penale për neglizhencë ndaj shëndetit publik.

Tymi toksik vazhdon të mbulojë pa ndërprerje zonën përreth, duke shkaktuar dëme ekologjike dhe rrezik serioz për shëndetin publik.

“Nëpër shtëpia, ky tym që vjen prej këtu po hyn krejt brenda. Nuk është mirë hiç... po vjen erë e keqe, kush e di çka digjet aty brenda, çdo gjë digjet”, thotë qytetari Smajl Lahaj.

“Jetojmë afër kësaj deponie. Po shihet tmerri çka bëhet këtu. Nuk merr masa askush, është katastrofë. Mbrëmjeve, sidomos kur bie shi, nuk mund të dalim jashtë dhe duhet t’i mbajmë dritaret mbyllur. Është tmerr”, thotë Agron Bajrami.

Përkeqësimi i gjendjes ka izoluar familje të tëra, të cilat prej ditësh kërkojnë ndërhyrje emergjente dhe zgjidhje të problemit.

“Që dy javë kemi kërkuar zgjidhje, në komunë e gjithkund. Kemi pasur edhe protesta para disa ditësh, por askush nuk po merr masa. Ky problem ekziston që para luftës, por vitet e fundit është bërë i padurueshëm. Për shëndetin është shumë i rrezikshëm”, shton ai.

Lokalizimi i zjarrit vazhdon të jetë sfidë edhe për zjarrfikësit.

“Thuajse 24 orë jemi në terren me ndërrime, ditë e natë. Zjarri është shumë i vështirë për t’u lokalizuar, sepse është në thellësi dhe me përmasa të mëdha. Edhe pse përdorim ujë vazhdimisht, nuk mjafton, pasi mbeturinat digjen thellë – plastika, tekstile e materiale të tjera. Është provuar edhe mbulimi me dhe, por kërkohet një sasi shumë më e madhe për ta shuar plotësisht”, thotë zjarrfikësi Nazmi Nikqi.

Deponia menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë. Ndërmarrja publike lokale “Ambienti” ka ngritur dyshime se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht nga persona të pandërgjegjshëm.

Komuna e Pejës po vazhdon koordinimin e ekipeve emergjente për izolimin e zjarrit, duke u përpjekur të mbulojë vatrat me dhe, pasi uji nuk po rezulton i mjaftueshëm për shuarjen e tij.

 


MË SHUME NGA Kosovë