Prishtinë, rreth 700 nxënës do të përfitojnë trajnime falas në not|VIDEO
Qendresa Duraku / RTK
Rreth 700 nxënës të shkollave fillore në Prishtinë do të përfitojnë këtë verë trajnime falas në not, në kuadër të programit "Noti për çdo Nxënës".
Nisma, e prezantuar nga Komuna e Prishtinës, synon të promovojë aktivitetin fizik dhe sigurinë në ujë te fëmijët e grupmoshës 9 deri në 11 vjeç. Programi organizohet nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Drejtoria e Sportit, në bashkëpunim me Sport Marketing, ndërsa trajnimet do të zhvillohen në Pishinën e Gërmisë.
" Kjo është një marrëveshje që kemi punuar përgjatë këtyre javëve të fundit që t'i shërbejmë dhe t'ju mundësojmë secilit nxënës të Prishtinës, të ju mundësojmë trajnimin pa pagesë falas nga Komuna e Prishtinës në shërbim të tyre që sigurisht aspektet e saj janë tejet pozitive në aspektin shëndetësor por edhe në aspektin fizik dhe mendorë që ndikon në krijimin edhe të vetëbesimit dhe çka do tjetër për secilin nxënës. Prandaj është hera e parë, dhe ne do të vazhdojmë në vitet në vijim që ky numër të rritet”, ka thënë Arianit Elshani, drejtor i DKA-së
Drejtoria e Sportit e cilësoi programin si pjesë të angazhimit për të rritur pjesëmarrjen e fëmijëve në aktivitete sportive dhe për të krijuar më shumë mundësi rekreative për qytetarët.
"Si Drejtori e Sportit i kem dhënë mbështetjen e plotë këtij aktiviteti dhe do t'i japim çdo aktiviteti që është në të mirë të shëndetit, së pari të fëmijëve dhe mbarë qytetarëve të kryeqytetit. Si Drejtori e Sportit në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Arsimit, jemi në kërkim po ashtu edhe të hapësirave të tjera të cilat do të jenë në dispozicion për qytetarët e kryeqytetit të cilat do të jenë falas dhe trajnimet që do të zgjasin përgjatë kësaj vere, do të jenë në dobi ehe për të gjithë fëmijët të cilët do të vijnë këtu. Thirrja është e hapur, inkurajojmë të gjithë fëmijët dhe prindërit që t'ju bashkohen kësaj nisme”, ka thënë Granit Geci, drejtor i Departamentit të Sportit.
Autoritetet komunale njoftuan se programi do të zhvillohet për katër javë, ndërsa trajnimet do të nisin javën e ardhshme. Thirrja për aplikim është e hapur nga sot deri në fundjavë. Aplikimi bëhet online përmes platformës elektronike të Komunës së Prishtinës.
Komuna ka bërë thirrje që prindërit të aplikojnë dhe të përfshijnë fëmijët në këtë program, i cili synon të shndërrohet në një aktivitet tradicional për nxënësit e kryeqytetit.























