Hapet në Podujevë panairi tradicional “Ditët e Diasporës”
Sh.G|RTKlive
Në Sheshin e Qytetit në Podujevë është hapur panairi tradicional “Ditët e Diasporës”, i treti me radhë që organizohet gjatë këtij viti, duke sjellë në qendër të vëmendjes prodhimet vendore dhe punën e grave prodhuese.
Panairi organizohet nga “Era Fruit”, OJQ “Begatitë e Batllavës” dhe OJQ “Leustina”, me mbështetjen e Komunës së Podujevës. Në të marrin pjesë gra prodhuese nga komuna dhe rajoni, të cilat prezantojnë e tregtojnë produkte bujqësore, produkte të qumështit, ushqime tradicionale dhe punime artizanale.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë edhe përfaqësues të Komunës së Podujevës, të cilët vlerësuan angazhimin e grave pjesëmarrëse dhe theksuan rëndësinë e promovimit të prodhimeve vendore, si një mënyrë për të mbështetur zhvillimin ekonomik lokal dhe fuqizimin e grave në ndërmarrësi.
Panairi “Ditët e Diasporës” synon të promovojë potencialin prodhues dhe trashëgiminë kulturore të Podujevës, duke krijuar një hapësirë ku qytetarët dhe bashkatdhetarët mund të njihen nga afër me produktet autentike vendore dhe të mbështesin prodhuesit lokalë.
Organizatorët ftojnë qytetarët dhe mërgimtarët që të vizitojnë panairin, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 29 korrik 2026.























