Aksion në Vushtrri për falsifikim dokumentesh të veturave
BKT
Foto ilustrim
Kosovë

Aksion në Vushtrri për falsifikim dokumentesh të veturave

Sh.Ç/RTKlive

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës – Njësinë për Hetimin e Autokrimeve Mitrovicë-Jug, ka realizuar kontrolle në disa lokacione në Vushtrri në kuadër të një hetimi për dyshime mbi falsifikimin e dokumenteve gjatë importimit dhe zhdoganimit të automjeteve nga Koreja e Jugut.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente publike të falsifikuara, duke ndryshuar të dhënat për regjistrimin e parë të automjeteve nga viti 2015 në vitin 2016. Dyshohet se kjo është bërë për t'i paraqitur automjetet si më pak se 10 vjet të vjetra, në mënyrë që të mundësohej importimi i tyre në Kosovë.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se dokumentet e dyshuara janë përdorur gjatë importimit dhe zhdoganimit të pesë automjeteve, për të cilat janë lëshuar deklarata doganore me të dhëna të pasakta. Të pesë automjetet janë sekuestruar si prova materiale.

Rasti po hetohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se, në koordinim me Doganën dhe Policinë e Kosovës, do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.


MË SHUME NGA Kosovë