Rreth 2 mijë fermerë kultivojnë mjedër, eksportet në rritje drejt BE-së
Fatos Cervadiku / RTK
Sektori i pemëve të imëta po kthehet në një shtyllë të rëndësishme për ekonominë rurale në vend. Me rreth dy mijë kultivues të mjedrës, Kosova është e pranishme edhe në tregjet e huaja. Prodhuesit, përfaqësuesit institucionalë dhe partnerët zhvillimorë u bënë bashkë në shënimin e “Ditëve të Mjedrës” për të diskutuar trendët e tregut dhe potencialin e madh të eksportit. Ndonëse kërkohet më shumë mbështetje për t’i përballuar sfidat, ky mbetet një nga sektorët më strategjikë të bujqësisë vendore.
Nga një kulturë e vogël familjare, mjedra ka arritur të përfaqësojë inovacionin dhe angazhimin e mijëra familjeve në vend. Janë rreth dy mijë fermerë që merren me kultivimin e mjedrës, me rritje të vazhdueshme të eksporteve drejt tregjeve evropiane.
Shënimi i Javës së Mjedrës ka bërë bashkë prodhuesit dhe vendimmarrësit institucionalë për të diskutuar dhe për të vlerësuar potencialet që ofron kultivimi i frutave të imëta në Kosovë. Pos trendëve pozitivë, në këtë takim u shpërfaqën edhe sfidat kryesore të sektorit, ku u nënvizua se vetëm përmes një bashkëpunimi të koordinuar mund të rritet konkurrueshmëria e prodhimeve tona në tregjet e huaja.
“Është një mundësi e mirë që të shohim inovacione, të ndajmë përvoja, të diskutojmë sfidat dhe të ndërtojmë ura të reja të bashkëpunimit”, tha Kujtim Lepaja, drejtor ekzekutiv i Shoqatës “Mjedra e Kosovës”.
“Nga komunikimet tona me Shoqatën ‘Mjedra e Kosovës’, flitet që prodhimi i mjedrës nga viti në vit ka filluar të shënojë rritje, si në shitje, ashtu edhe në eksport drejt shteteve të BE-së, ku ky produkt ofron cilësi dhe inovacion”, theksoi Bekim Cikaqi, Departamenti për Shërbime Këshillimore, Ministria e Bujqësisë.
“Fermerët kanë nevojë për material mbjellës cilësor, teknologji të përshtatshme, këshillim praktik dhe qasje te blerës të besueshëm”, pohoi Veton Rruka, menaxher i Projektit EREA, Caritas-i Zviceran në Kosovë.
Përfaqësuesit e sektorit të mjedrës nënvizuan se, me një bashkëpunim më të ngushtë, ky sektor ka potencial të rrisë eksportin dhe ekonominë rurale në vend.























