Podujeva avancon menaxhimin e barnave esenciale
K.K/ RTKlive
Komuna e Podujevës ka hedhur një hap të ri drejt avancimit të shërbimeve shëndetësore, duke nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për digjitalizimin e menaxhimit të barnave esenciale në institucionet publike shëndetësore.
Memorandumi u nënshkrua nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe drejtori i Platformës E-Shneta, Fidan Kalaja.
Sipas Komunës, sistemi i ri do të mundësojë monitorim më efikas të stokut të barnave esenciale, rritje të transparencës në menaxhimin e tyre, si dhe informim më të shpejtë të qytetarëve për disponueshmërinë e barnave në institucionet publike shëndetësore.
Kryetari Shpejtim Bulliqi theksoi se ky bashkëpunim është pjesë e angazhimit për modernizimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët.
“Po vazhdojmë punën për modernizimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët tanë”, deklaroi Bulliqi.
Zbatimi i këtij memorandumi pritet të kontribuojë në rritjen e efikasitetit të menaxhimit të barnave dhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët e Komunës së Podujevës.























