Reagon `KRU Mitrovica` ndaj sulmit me armë të ekipit
V.Th / RTKLive
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se punonjësit e saj janë përballur me sjellje të dhunshme gjatë kryerjes së detyrave zyrtare në terren, ku sipas kompanisë ndaj tyre është përdorur edhe armë zjarri.
Sipas reagimit publik të KRU “Mitrovica”, incidenti ka ndodhur gjatë veprimeve për çkyçje nga rrjeti të një konsumatori i cili, sipas kompanisë, nuk kishte përmbushur obligimet financiare.
“Gjatë ndërmarrjes së veprimeve për çkyçjen nga rrjeti, punonjësit tanë janë përballur me sjellje të dhunshme, ku, sipas informacioneve të deritanishme, ndaj tyre është përdorur armë zjarri.”
Kompania ka bërë të ditur se incidenti ka përfunduar pa pasoja në njerëz.
“Fatmirësisht, incidenti ka përfunduar pa pasoja në njerëz.”
KRU “Mitrovica” ka dënuar çdo formë të dhunës dhe ka kërkuar nga institucionet kompetente trajtimin e rastit.
“I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera kompetente që rastin ta trajtojnë me seriozitetin më të lartë, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore dhe të sigurojnë përgjegjësinë e plotë të personave të përfshirë.”
Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që obligimet financiare t’i përmbushin me kohë dhe çështjet lidhur me borxhet apo shërbimet t’i adresojnë përmes rrugëve institucionale dhe ligjore.























