Nga nesër nis dezinsektimi në Podujevë, komuna apelon për kujdes
BKT
Kosovë

Nga nesër nis dezinsektimi në Podujevë, komuna apelon për kujdes

G.K/RTKlive

Komuna e Podujevës ka njoftuar se nga nesër, 31 korrik, do të nisë faza e parë e dezinsektimit të hapësirave përreth lumenjve Llap, Dumnicë dhe Batllavë.

Sipas njoftimit, dezinsektimi do të zgjasë deri më 2 gusht dhe ka për qëllim zvogëlimin e numrit të insekteve fluturuese, si mushkonjat dhe insektet e tjera, si dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive.

Komuna ka bërë të ditur se, për shkak të kërkesave të qytetarëve, dezinsektimi i qytetit dhe i parqeve do të kryhet më 1 gusht, duke filluar nga ora 20:00.

Më 31 korrik do të kryhet dezinsektimi rreth lumit Llap, në pjesën e qytetit të Podujevës dhe në fshatrat Peran, Bajçinë, Dobërdol, Sekiraçë, Gllamnik, Siboc i Epërm dhe Penuhë.

Ndërkaq, më 1 gusht dezinsektimi do të vazhdojë rreth lumit Llap, në Lluga, Lluzhan, Shakovicë, Lupç i Poshtëm, si dhe në fshatrat Sfeçël, Dumosh, Siboc i Poshtëm, Llugë, Bellopojë dhe Batllavë.

Komuna ka njoftuar se dezinsektimi përreth lumenjve fillon nga ora 08:00, ndërsa dezinsektimi i qytetit, rrugëve, rrugicave dhe parqeve nga ora 20:00. Qytetarëve u është bërë thirrje që gjatë dezinsektimit të qytetit t'i mbajnë të mbyllura dritaret, ndërsa shoqatat e bletarëve dhe pronarët e bletëve janë njoftuar që gjatë ditëve të planifikuara të mos i lëshojnë bletët për kullotë dhe t'i mbajnë të mbyllura për arsye sigurie. 


MË SHUME NGA Kosovë