Fund guidave të palicencuara, vendosen standarde të reja në turizëm
Qendresa Duraku /RTK
Kosova po vendos për herë të parë rregulla të detyrueshme për licencimin e udhërrëfyesve turistikë. Sot ka hyrë në fuqi zbatimi i plotë i Ligjit për Turizmin, i cili synon të profesionalizojë sektorin dhe të vendosë standarde të reja për ofrimin e shërbimeve turistike.
Përfaqësuesit e industrisë thonë se ndryshimi vjen pas vitesh kërkesash dhe pritet të kufizojë operimin e guidave të palicencuara, një problem që, sipas tyre, ka ndikuar edhe në mënyrën se si u është prezantuar historia dhe kultura e Kosovës vizitorëve të huaj.
Zbatimi i plotë i Ligjit për Turizmin, duke instaluar për herë të parë një sistem zyrtar të licencimit për udhërrëfyesit turistikë, shënon një kthesë strategjike për Kosovën, duke prekur drejtpërdrejt ekonominë, imazhin ndërkombëtar dhe sigurinë e informacionit.
“Teknikisht, ne jemi duke e pritur këtë ditë që nga viti 2022. Edhe GuideKS, pra shoqata e vetme e guidave turistike në Kosovë, pothuajse në baza ditore e ka ngritur çështjen e guidave turistike. Arsyeja pse e kemi ngritur në baza ditore është sepse kemi pasur informata nga terreni, duke dëgjuar narrativat dhe mënyrën se si paraqitet imazhi i Kosovës para turistëve”, thotë Muhamer Hasani, udhërrëfyes turistik i licencuar.
Ky vendim vjen për të mbyllur një vakum të gjatë institucional, pasi deri më tani nuk ka pasur asnjë mekanizëm funksional për regjistrimin dhe mbikëqyrjen e udhërrëfyesve. Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, sistemi i ri digjitalizon të dhënat dhe vendos standarde të detyrueshme dhe të barabarta për të gjithë operatorët që ofrojnë shërbime në Kosovë.
“Kjo nënkupton që veprimtaritë turistike tash e tutje do të zhvillohen në një kornizë më të rregulluar, me standarde të qarta, përgjegjësi të përcaktuara dhe mbrojtje më të madhe për turistët dhe operatorët turistikë që operojnë në territorin e Republikës së Kosovës”, thotë Muhedin Nushi, këshilltar i lartë politik në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.
Hapat e parë drejt këtij rregullimi tashmë janë konkretizuar. Sipas Ministrisë, deri më tani janë licencuar zyrtarisht 21 udhërrëfyesit e parë turistikë në vend, ndërsa dhjetëra aplikime të tjera janë në proces shqyrtimi. Kjo shifër pritet të rritet me shpejtësi, duke krijuar një rrjet të sigurt dhe profesionalisht të certifikuar për të gjithë vizitorët e huaj.
“Gjatë këtij procesi të aplikimit kemi pasur edhe aplikantë të cilëve u është refuzuar aplikimi për shkak të mosplotësimit të kërkesave. Numri i përgjithshëm i aplikantëve të refuzuar është 7. Ndërsa sa i përket numrit total të guidave që presim të licencohen pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, pasi jemi në kontakt edhe me GuideKS, ky numër pritet të jetë mes 150 dhe 200 guida në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thotë Nushi.
Sistemi i ri nuk sjell vetëm rregulla, por edhe ndëshkime të ashpra. Udhërrëfyesit pa licencë rrezikojnë gjoba nga 500 deri në 1,500 euro, ndërsa agjencitë që shkelin ligjin do të gjobiten deri në 9,000 euro. Për ata që përsërisin shkeljet, shteti ka paraparë masa më të rënda: mbyllje të veprimtarisë deri në pesë vjet.























